TIRANE- Plumba mbi ndërtesën e Spitalit Ushtarak, terror mbi pacientët dhe marrja peng e personelit mjekësor, kjo ka qënë situata e marsit 1997 në Spitalin Ushtarak. Me veprime terroriste dhe aspak profesionale efektivët e Gardës së Republikës që drejtohej nga koloneli Xhahit Xhaferi dhe Arjan Çenga kanë pushtuar ambientet e jashtme dhe të brendshme të Spitalit Ushtarak me argumentin se po i vdisnin shokët e plagosur në masakrën e 23 majit në Cërrik.

Urdhëri për nxjerrjen e dy autoblindave nga garda dhe dërgimi i tyre në spital, është dhënë nga Xhahit Xhaferi, i cili ka marrë informacion nga shefi operativ Arjan Çenga, se mjekët e këtij spitali nuk po bënin aq sa duhet për të shpëtuar jetën e gardistëve të plagosur në Cërrik. Sipas informacionit kirurgët dhe mjekët kërkonin para, në këmbim të shërbimit mjekësor. Ky informacion, bëri që nga tunelet e gardës të dalin dy autoblinda me 40 efektivë të armatosur, të cilët paraditen e 25 majit 1997, kanë terrorizuar me armë dhe keqtrajtuar mjekët dhe policët ushtarakë, që ishin caktuar për ruajtjen e sigurisë së këtij spitali.

Të gjithë efektivët kanë vepruar si bandë e armatosur dhe kanë dhunuar fizikish policët ushtarak, Kujtim Buci, Bajram Sina, Sherif Huqi, mjekun Arqile Gjikondi, nën/drejtori Gëzim Huqi, Elmaz Eltari, Ilir Prifti, drejtorin Ilir Kaja, Spiro Dede etj. Për këtë ngjarje në 13 maj 2014, gjykata e Tiranës ka dënuar me 12 vjet burg ish-drejtuesin e gardës Xhahit Xhaferi dhe me 10 vjet burg shefin operativ Arjan Çenga.

Irritimi pas vdekjes
Me pretendimin e pabazuar në fakte konkrete, meqenëse në Spitalin Ushtarak Tiranë, kishte vdekur njëri nga të plagosurit rëndë, efektiv i Gardës të Republikës, më datë 25.05.1997 i pandehuri Arjan Çenga, duke qënë brenda teritorit të Gardës, në biseda me Komandantin e Gardës të pandehurin Xhahit Xhaferri, me miratimin e tij kanë dalë dy transportues të blinduar, me drejtim lëvizje për në Spitalin Ushtarak Tiranë.

Këto transportues të blinduar drejtoheshin nga deklaruesi Deli Musta dhe shtetasi Gëzim Hajdini. Në ato mjete kanë hypur forca të Gardës të Republikës të veshur me uniformë ushtarake, civile, të armatosur kryesisht me armë luftarake automatik, pistoleta, ishin mbi 10-15 forca efektiv të kompanise operative nr.2. Ato drejtoheshin nga i pandehuri Arjan Çenga dhe ky i fundit ishte përpara me mjet veturë, kurse nga pas me drita të ndezura që presupozonin “raste urgjente” shkonin dy autoblindat.

Terrori në spital
Rreth orës 10:00 ata ndodheshin para derës kryesore të hyrjes për në Spitalin Ushtarak dhe meqenëse nga paraqitja e tyre edhe e jashtme, ishte urgjente me qëllim për të mos u penguar nga forca ushtarake të armatosur të policisë ushtarake, ata u futën brenda territorit të Spitalit.

Një pjesë prej tyre pasi kanë dalë nga mjetet e blinduara, të indinjuar dhe me veprime të pa kontrolluara dhe të kundraligjshme, pa shkaqe determinante të faktuara konform ligjit, vetëm të dëgjuara: “Që sipas tyre shokët e plagosur po ju vdisnin, pasi personeli mjekësor nuk interesohej për ta, personeli mjekësor ju kërkonte mjete monetare me qëllim për t’u interesuar për çdo prej tyre, kanë filluar të shtien me armë luftake në ajër me breshëri dhe në drejtim të murit fasada ballore kryesore e Spitalit Ushtarak”. “...situatën në spital e muarrëm ne...”-kjo ishte fjalia e parë që gardistët e armatosur si terroristë i kanë pohuar personelit të spitalit.

Ata kanë përhapur frikë, panik në popull, të sëmurë, personel mjekësor, forca ushtarake të ruajtjes të Spitalit Ushtarak. Veprimet e tyre u bënë dhe të dhunëshme si nga ana psikike dhe fizike. Veprimet e tyre të kundraligjshme, krijuan dhe terror psikologjik.

Ata duke ushtruar dhunë fizike dhe psikike, duke çarmatosur me dhunë punonjësit e Policisë Ushtarake, deklaruesit Kujtim Buci dhe Gentjan Sejko, si dhe është keqtrajtuar dhunshëm fizikisht punonjesi i policië Sherif Huqi, të cilit sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor Nr.117, datë 27.05.1997 është konkluduar dëmtime të dukshme fizike, duke u shtruar për mjekim në këtë spital.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)