E ndërsa mbarë komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht perëndimi është fokusuar në luftën kundër terrorizmit islamik, Al Qaeda, organizata më e madhe terroriste në botë njofton krijimin e degës së saj në Indi duke shtrirë veprimin përmes Azisë Jugore.
 
Vetë lideri i organizatës, Ayman al-Zawahiri njoftoi sot përmes një video mesazhi ngritjen e flamurit të xhihadit në Indi duke premtuar besnikëri ndaj liderit të talebanëve afganë të Mullah Omar.
 
Sipas analistëve aleanca e tij është në rivalitet ndaj militantëve të Shtetit Islamik që sfidojnë Al Kaedën në përpjekje për të thithur sa më shumë militantë islamikë.
 
Duke e nisur me nderimin ndaj paraardhësit të tij, Osama Bin Laden, Zawahiri i bën thirrje kombit mysliman, të angazhohet në luftë të shenjtë kundër armiqve për të çliruar tokën e tyre. Sipas tij Al Qaeda në Azi do të jetë lajm i mirë për myslimanët në Burma, Bangladesh dhe shtetet indiane të cilët do t’i shpëtojmë nga padrejtësia dhe shtypja.
 
Shërbimet indiane të inteligjencës dhe sigurisë njoftuan se po shqyrtojnë deklaratën e al-Zawahiri dhe i kanë kërkuar njësive të tyre shtetërore të jenë në gatishmëri për çdo kërcënim.
 
Por ekspertët e kundër terrorizmit thonë se lidershipi i Al Kaedës, po rivalizon me ISIS për të tërhequr sa më shumë ndjekës, veçanërisht pas suksesit të militantëve islamikë në Lindjen e Mesme dhe pushtimit të tyre në Irak e Siri.
 
Ndërkaq në Indi, një zëdhënës i partisë në pushtet deklaruan se videoja përbën një çështje mjaft shqetësuese, por se qeveria do të dijë t’i përgjigjet.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)