Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendimin për shkarkimin e ministrit të Administratës Publike, Ivan Teodosijeviç pas deklaratës së tij ku ofendonte shqiptarët dhe shprehej se Masakra e Reçakut është një trillim. Haradinaj shprehet se në qeverinë që ai drejton nuk do ketë vend për askënd që synon të ndërmarrë politika të tilla.
Ministri Teodosijeviç, tha në një fjalim në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës se shkas “për agresionin u bë e ashtuquajtura katastrofa humanitare në hapësirat e Kosovës, trillimi i Reçakut, ndërsa janë pikërisht terroristët shqiptarë që i shpikën të gjitha, që kryen krime në Kosovë, para dhe pas agresionit të NATO-s”.
Postimi i Haradinajt
Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. RH
Deklarata e Ivan Teodosijeviç
Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtëquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim, kurse janë terroristët shqiptarë atë që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtëquajtur paqësor në Kosovë e Metohi.