TIRANE - Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha sot se rajoni është i kërcënuar nga terrorizmi, ndaj duhet t'i kundërvihemi të keqes për ta përballuar atë. Ajo theksoi se vala e refugjatëve që ka përfshirë vendet, ka shtuar domosdoshmërinë për gjetjen e një zgjidhje që prek rrënjët e problemit.

Rajoni në të cilin jetojmë është krejtësisht i përfshirë në vorbullat që po krijohen në Lindje e në Jug. Valët e refugjatëve që po vijnë drejt Europës forcojnë nevojën për të gjetur një zgjidhje që prek rrënjët e problemit, e jo vetëm pasojat e tij. Prandaj, lind nevoja që ne të gjithë së bashku të përgatitemi për t’iu kundërvënë të keqes. Ashtu siç kemi bërë gjithnjë, përgjatë gjithë angazhimeve tona, në ruajtje dhe forcim të paqes nëpër botë. Eksperienca jonë e fituar në Afganistan, Irak, Bosnje-Hercegovinë, Çad, Kosovë e Gjeorgji do të na shërbejë për të vazhduar denjësisht përpjekjen tonë për paqe e siguri nëpër botë. Nën shembullin më të mirë të gjithë brezave të ushtarakëve shqiptarë dhe me kujtimin e trimave sypatrembur, si kapiten Feti Vogli”, u shpreh Kodheli.

Më tej ajo i'u është drejtuar të pranishmëve: "Ushtarë, marinarë, aviatorë, ju që ruani Republikën e Shqipërisë, dua të falenderoj ju dhe familjet tuaja që i jeni përgjigjur thirrjes për të shërbyer në mbrojtje të atdheut. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes janë të përkushtuar për t’ju trajtuar me dinjitet dhe respekt dhe mbi të gjitha për t’ju garantuar një jetë sa më të mirë profesionale e personale. Sot dhe çdo ditë, ne ju jemi mirënjohës për atë që bëni" ka vijuar ajo.

kodheli

Kodheli ka folur edhe për rrugën në 103 vite të Forcave të Armatosura, duke e konsideruar atë si të lavdishme.

Që prej vitit 2009 jeni pjesë e organizatës më të madhe politiko-ushtarake, që mbron vlerat më të mira euro-atlantike të lirisë dhe demokracisë. Ëndrra për të qenë pjesë e NATO-s, eci paralel me përpjekjen e të gjithëve ne për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Si rrallë kund në vendet ish-komuniste, konsensusi politik për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut ka qenë unanim dhe kuptimplotë. E për këtë, një falenderim shkon për ata burra e gra që punuan për më shumë se dy dekada për realizimin e ëndrrës. Me përkushtimin e tyre, sot kemi një forcë të armatosur e cila përmbush misionin e saj kushtetues duke rritur profesionalizmin e duke u modernizuar ditë pas dite, për të qenë të barabartë mes aleatëve.


Këto deklarata, ministrja Kodheli i bëri gjatë ceremonisë së 103-vjetorit të Forcave të Armatosura, ceremoni në të cilën morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, atashetë ushtarakë të  akredituar në vendin tonë, si dhe të ftuar të tjerë.

Më 4 dhjetor të vitit 1912, pak ditë pasi patrioti i madh Ismail Qemali shpalli më 28 nëntor 1912 në Vlorë mëvetësinë e Shqipërisë, u krijua edhe Ministria Kombëtare e Luftës, duke shënuar kështu edhe krijimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. 

kodheli
Redaksia Online
(F.T/Shqiptarja.com)