Dy javë pas vendimit që policët t'u nënshtrohen testit të drogës, kanë dalë rezultate e para dhe mesa e kanë konfirmuar deri më tani burime për Report TV, në radhët efektivëve të Vlorës, Sarandës, Elbasanit dhe Shkodrës ka 30 persona që kanë rezultuar pozitivë.

Shifra të tilla për ekspertin kriminalist, Artan Rexhepi, janë shumë shqetësuese. I ftuar në studion e Report Tv, në studion e " Sot, live në Shqipëri", të gazetarit Andi Kapxhiu, ai e përshëndeti vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

"Edhe sektorë të tjerë të administratës civile duhet ta bëjnë këtë test. Kjo e policisë është një lëvizje shumë e mirë, një bravo shumë e madhe për policinë.  Kam frikë se mund të jetë targetuar me moshë dhe kjo nuk është e drejtë. Nëse një ilaç tensioni e jep këtë problem atëherë është çështje që mund të zgjidhet. E rëndësishme është që të ruhet anonimati deri sa të zbardhet përfundimisht. Punonjësi i policisë duhet ta dijë që ai është përpara ligjit i barabartë me të gjithë të tjerët.

Shifrat janë shqetësuese. Si mundet një OPGJ të hetojë një rast droge kur është vetë përdorues. Do t'ia sugjeroja ministrit të Drejtësisë që të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me drogën, e trajtuara nga policë përdorues droge, të ritrajtohen", tha Rexhepi, i cili propozoi që ky test të bëhet edhe për administratën publike.

Ndërkohë që nga ana e tij Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Efektivëve të Policisë, në lidhje direkte me "Sot, live në Shqipëri", u shpreh se me këtë aksion po zbatohet ligji.

"Thjesht po zbatohet ligji. Pyetja e thjeshtë që mund të bëjnë qytetarët është se nëse një polic është përdorues droge, ku e merr drogën? Kjo e bën të detyrueshme edhe testin e drogës në polici. Duke qenë se droga nuk është e ligjëruar polici atëherë e merr drogën nga grupet kriminale. Minimalisht është bashkëpunëtor në krim.  Rregullorja e policisë e bën të detyrueshme testin e drogës që në momentin kur garon për në polici", tha ai.

Të dy ekspertët u shprehën se është e rëndësishme që gjatë gjithë procesit deri në konfirmim final të ruhet anonimati dhe në fund policët përdorues droge të çohen për ndjekje penale.