Studiues shqiptar Behar Gjoka ka sjellë një shkrim tijin mbi figurën e njohur të shkrimtarit Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko) dhe për prozën e tij, e cila u botua për herë të parë "Hekuri dhe çeliku", e cila u botua për herë të parë në Panairin e Librit.
Nga sepetet e dorëshkrimeve të Dhimitër Paskos, shtëpia botuese MK, nën kujdesin e fëmijëve të mjeshtrit të rrëfimit, e sidomos Pandeliut dhe Atalantës, sonte u bë paraqitja e librave të kësaj shtëpie botuese, ku krahas të tjerave, meriton vëmendje proza Hekuri dhe Çeliku. Një tekst që botohet për herë të parë, një faqe magjike e prozës së shkrimtarit.
Kjo prozë, që si zhanër endet në mes tregimit dhe novelës, por që shqiptohet mjeshtërisht si një mrekulli rrëfimore, u promovua në Panairin e librit, që në fakt shënon një ngjarje më vete, e cila megjithatë nuk pati vëmendjen e medias.
Në fakt, Kuteli edhe kur e varrosën së gjalli, qëndroi në heshtje, zhurmën e kanë të tjerët, të cilët e shijojnë. Sa herë që flas për Kutelin, nuk e di pse më kujtohet thënia e Zh. P. Satrit, kur thoshte: Qentë e gjallë, kafshojnë luanët e vdekur!!! Proza ka vënë në qendër jetën e njeriut, ky dy personazhet e nisin udhëtimin si shokë, e vijojnë si adhurues të parasë dhe kthehen në vrasës. Ky tekst që ka qëndruar gjatë në duart e shkrimtarit. Nis të shkruhet në vitet dyzet dhe qëndron në dorëshkrim për shumë vite.
Në muajt e fundit të jetës, në vitin 1967, në kohën kur shembeshin kishat e xhamitë, Kuteli rrëmih në sirtarët e fletëve të veta dhe i jep dorën e fundit kësaj proze. Ngjarjet janë vendosur në Pogradec, në Mokër, lëvizin në pazarin e Korçës, ku dy protagonistët, hekurpunuesi dhe lëkurpunuesi i opingave, gjezdisin jetën në mjerim dhe në kërkim të një jete më të mirë. Sfondi i ngjarjeve është vendosur në kohën e mbretërisë. Është koha që të tjerët, korifejtë e realizmit socialist këndonin poezi dhe shkruanin romane për partinë dhe shokun Taras, e Kuteli zbulonte tragjikën e jetës, fatalitetin ku njeriu është ujk për njeriun.
Një tragjedi e pamatshme, një tekst që të rrrënqeth, një situatë universale, ku lufta për jetën, është luftë për asgjesimin e njeriut. Gjenitë heshtin kur shkrujnë, heshtin kur ikin nga kjo botë, heshtin në gjallje, “ustallarët” e shkarrashkrimit, zhurrmojnë në çdo kohë, e turmat lëvrijnë sikur mizat rreth qypit të përjagrun. Proza “Hekuri dhe Çeliku” është teksti më i fundit që vjen nga magjaja letrare e mjeshtërit. Piplima e fjalës, këngëtimi i shpirtit, më erdhën sonte, si melodi e dhimbës së Paskos për njeriu, dje, sot dhe nesër. Kurrë nuk është vonë, ta lëçitësh artin e Kutelit…
Ai di të pres, madje mos e kërkoni në rrumpallën zhurmuese se nuk qëndron aty, ai flet me shpirtin e njeriut, që jeton në pakohësi…