Nayara Ferreira, volejbollistja e Dinamos, do të qëndrojë e pezulluar të paktën edhe 3 javë. Report TV mëson se kjo është koha që nevojitet për të dalë testi i përgjigjjes së analizës kariotip, që vërteton gjininë. Një analizë që është kryer në Tiranë, pas dyshimeve të klubeve të Vllaznisë dhe Pogradecit, mbi gjininë e volejbollistet.

Kjo situatë ka trishtuar 32-vjeçaren braziliane, e cila po mendon të marrë veprime ligjore, ndërsa është ankuar në shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, por edhe në ambasadën braziliane në Tiranë. Ajo ka një karrierë 16-vjeçare si volejbolliste profesioniste dhe në të kaluarën ka luajtur në shtete si Spanja, Portugalia, Austria, Franca dhe Arabia Saudite.

Që prej transferimit te Dinamo ajo jeton në Tiranë bashkë me të shoqin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:18
U pezullua për shkak të dyshimeve për gjininë, volejbollistja e Dinamos: Ata që e bënë do të pendohen!

Volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, thotë se ajo është paragjykuar për stilin e saj të veshjes. Sipas saj kjo është edhe arsyeja përse klubet e tjera të volejbollit kanë dyshuar për gjininë, por kjo çështje e ka prekur shumë.

‘Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen që kanë bërë këtë padrejtësi, sepse unë jam thjesht një vajzë që është e lirë dhe që ka të drejtën të ekzistojë, për t’u veshur dhe për të vepruar ashtu si ndjehem mirë dhe e vërtetë. Unë nuk jam një grua e rreme; jam një grua e fortë, me shumë luftë pas vetes. Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do ta pranoj që këta njerëz të më rrëzojnë dhe të më përbaltin pa asnjë arsye. Unë jam unë, Nayara, dhe jam e lirë të jem ajo që dua të jem, ashtu si të gjitha gratë në këtë botë,”-u shpreh volejbollistja në një reagim për Top Chanel.