“Miq dhe armiq. Të heshtësh do të thotë të bëhesh pjesë”, kështu e mbyll revoltën dizenjuesi shqiptar nga Maqedonia, Ilir Bajrami pasi tregon eksperiencën e tij të hidhur me shkrimtarin Arlind Farizi. Nëpërmjet një statusi në facebook ai tregon sesi një shkrimtar i punësuar edhe si profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës shmanget duke mos pranuar të paguajë detyrimet e tij për punën e kryer. Sikur të mos mjaftonte historia zhgënjyese shkrimtari e ka kërcënuar atë se do ta padisë.
Fakti që artisti ka zgjedhur ta denoncojë rastin nuk ka të bëjë aspak me përfitimet monetare. Ai është shprehur: E pranova ofertën pa i menduar aspak përfitimet sepse nëse do e bëja për përfitime, kjo shumë do të ishte qesharake....”, duke qenë se Farizi i ka ofruar 100 euro dhe i kërkuar më vonë të tejkalojë punën që i takonte të bënte.
Ky nuk është rasti i vetëm me të cilin janë të detyruar të përballen të rinjtë shqiptarë në Maqedoni. Bajrami shprehet se zhvatësit gjenden me shumicë nëpër institucione dhe universitete. Kjo është arsyeja kryesore që e ka shtyrë artistin të denoncojë rastin dhe t’u bëjë thirrje të gjithëve që të mos heshtin për këto shkelje të vazhdueshme që u bëhen.
Statusi i plotë në facebook
"Se gjendja kulturore, artistike, institucionale dhe morale në të gjithë hapësirat ku jetojnë shqiptarët është e mjerueshme s’do mend të kuptohet dhe dihet shumë mirë kualiteti në këto fusha. Megjithatë në Kosovë për shembull shihet se ka më shumë lëvizje dhe reagime për të kundërshtuar dukuritë negative bile ka edhe numër më të madh te njerëzve të cilët jo vetëm reagojnë e kundërshtojnë po bile edhe i luftojnë këto dukuri. Në Shqipëri është i çik ma mirë. Ka më shumë njerëz të ngritur profesionalisht…
Në Maqedoni… ah ne Maqedoni!!!
Po ju tregoj një ngjarje që më ndodhi këto ditë:
Një palaço prej shkrimtari, diku ka muaji mars m’u vetëofrua që t’ia dizajnoj kopertinën e librit të tij të ardhshëm (meqë i kisha pëlqy si dizajner) dhe gjithashtu t’ia bëj edhe radhitjen, (260 faqe) dhe me shpejtësinë e një tregtari domatesh e caktoi edhe çmimin (100 euro komplet!!!).
Mua (si çdo artisti) mu bë qejfi se dikush e pëlqente punën time, e pranova ofertën pa i menduar aspak përfitimet sepse nëse do e bëja për përfitime, kjo shumë do të ishte qesharake. Thjeshtë me naivitetin më të madh fillova ta imagjinoj si do të duket libri, çfarë lloji të shkronjave (fonti) do të zgjedh, ku do të inspirohem etj…
Krahas punës së rregullt që e kisha, punoja çdo natë që puna ime të duket sa më profesionale dhe e mbarova në afatin e duhur.
Unë, si ai kuzhinieri që asnjëherë nuk i shijon gjellërat që i bën vetë, të shumtën e rasteve nuk mund ta vlerësoj punën që e bej dhe shpesh as nuk i publikoj. Përkundrazi, në këtë rast libri doli i përkryer dhe mezi prisja ta publikojmë.
Përveç gabimeve të shumta drejtshkrimore që i përmirësoja sapo i hasja nëpër libër (nuk ishte punë e imja) krijova edhe simbole unike ndarëse për çdo kapitull, (bile në një moment më tha se shumë "illuminati" dukesha, si ata adoleshentët që shikojnë video me illuminati në youtube), fonti i përkryer (nga më modernet në botën e botimeve botërore), kopertina ndër më të mirat që kam bërë deri më tani, etj… mirëpo numri i faqeve nuk përputhej me numrin që i duhej klientit në fjalë (260) dhe për çudinë më të madhe më thotë patjetër t’i bëjmë 260. I thashë: Unë s’di si t’ia bëj. Më tha: Po ta dërgoj një libër tjetër (veçse i botuar tanimë) dhe futja merr diçka prej aty që ta arrijmë numrin e faqeve!!!
Domethënë për këtë palaço prej shkrimtari (është edhe PROFESOR në USHT!!!!!!) nuk kishte aspak rëndësi përmbajtja e librit te tij!!! Me rëndësi ishte që ai t’i merrte lekët nga ministria (kushedi sa mijë euro).
E mora gati komplet librin tjetër dhe e futa te ky i pari (sepse gati gjithë libri duhej të futej që të arrihej kuota prej 260 faqeve) dhe tanimë kjo paçavure (që liber nuk mund të quhet) u bë një mish-mash shkronjash dhe fjalësh të pakuptimta!!! Megjithatë mua më interesonte pjesa vizuale dhe ajo të duket mire të cilën e arrita.
Ok, e gjithë kjo mbaroi… mirëpo tani vinte pjesa më e rëndë për zhvatësit ordinerë të cilët gjenden me shumicë nëpër institucione edhe neper universitete, të kruajnë xhepin, i cili u është shndërruar në pjesë të trupit e cila ju dhimbset me shumë edhe se organet gjenitale!
Kalonin javë e muaj, ai gjithë kohës mundohej që të krijonte ndonjë truk që une t’ia dërgoj librin ne email gjë të cilën gjë unë çuditërisht e nuhasja.
Në një rast me tha dërgoje librin në email dhe shko te X shoqja në lokal, merri paret se do t’i le aty. Haha guess what? shoqja nuk dinte gjë...!!!
Kështu që erdhi gushti dhe unë vendosa ta kërkoj në fshatin ku jeton. Tanimë nuk ishte punë parash, po ishte tallje me mirësinë, korrektësinë dhe personalitetin tim.
Në fshat e njihnin si Prof. Arlind Farizi. Një profesor nga ato me 2 telefona. Njërin për përdorim privat dhe tjetrin për ato që i paraqiten për përmirësime notash (me lekë patjetër).
Pyeta një fshatar që e takova në rrugë se mos e ka parë, më tha ah, profin në bastore e gjen gjithë kohës. E kërkova bastoren po nuk e gjeta… Krahas disa detajeve të tjera që nuk janë me rëndesi, në mbrëmje më thiri në telefon dhe me histerinë e tij më la të kuptoj se ai nuk do ta paguante punën time dhe më tha se ne s’kemi bërë asnjë kontratë paraprakisht.
Kështu që i lashë 100 eurot e tij për t’ua përcjellë këtë ngjarje të gjithëve këtu dhe për t’ju thëne që të mos i lejojmë këta pakurrizorë të jenë pjesë identifikuese e shoqërisë sonë!
Nuk e di në bazë të cilave standarde ai merr pjesë në mbrëmje letrare poetike kur para disa viteve në të njëjtën mënyrë iu vetëofrua një shokut tim këngëtar (vokal i mrekullueshëm) për t’i dhënë disa tekste këngësh - duke i lexuar kemi qeshur me lotë!.
Kam disa shokë këtu që e di se për arsye morale nuk do reagojnë mirëpo ta dini: “Budallës mos ja lësho udhën”! (thotë njëri prej tyre ;) )
Miq dhe armiq. Të heshtësh do të thotë të bëhesh pjesë"!

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
