Thaçi e Daçiç në Bruksel dialog
për simbolet, telekomin e energjinë

Thaçi e Daçiç në Bruksel dialog<br />për simbolet, telekomin e energjinë
BRUKSEL- Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, që pritet të mbahet më 8 shtator në Bruksel, është paralajmëruar se mund të sjellë përparime konkrete në temat që kanë të bëjnë me telekomunikacionin dhe harmonizimin e çështjeve kontestuese rreth daljes së serbeve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur besimin e tij se në takimin e 8 shtatorit në Bruksel do të arrihen marrëveshje jo vetëm për telekomunikacionin, por edhe temën tjetër, të cilësuar si më problematike në dialog, atë për energjinë.

Kurse ka paralajmëruar edhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve në lidhje me përdorimin e simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Beogradi insiston që për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, fletëvotimet duhet të mos përmbajnë ndonjë simbol të shtetit të Kosovës, përderisa Thaçi mendon se kjo punë i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Kemi pajtueshmëri politike me gjithë spektrin politik që jemi takuar dhe kemi biseduar. Do të thotë do të jetë një zgjidhje kushtetuese e ligjore”, ka thënë Thaçi.

Paraprakisht ai kishte paralajmëruar që kjo zgjidhje mund të mos jetë shumë atraktive politikisht, por e pranueshme për të gjithë. 

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç u ka thënë medieve në Beograd se neutraliteti i Marrëveshjes së 19 prillit, do të jetë i domosdoshëm për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale.

Ndërkaq nga ana e tij, ai është shprehur i gatshëm të zbatojë marrëveshjen me Prishtinën.

Takimi i radhës Thaçi – Daçiç në Bruksel zhvillohet në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po kërkon një qartësi të palëve në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale dhe pjesëmarrjen e serbëve, sidomos atyre të komunave veriore.

Ndërkohë, edhe qytetarët po i përcjellin me vëmendje bisedimet që kryeministrat Thaçi e Daçiç po zhvillojnë në Bruksel me ndërmjetësim të shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Dialogu Prishtinë – Beograd i ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton, ka rezultuar me Marrëveshjen e 19 prillit.

Përmes këtij dialogu, Brukseli synon të krijojë një bashkëpunim dhe normalitet në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurse nga aspekti i brendshëm, përmes këtij dialogu po synohet edhe integrimi i komunitetit serb nga pjesa veriore, të cilit i është premtuar edhe një shkallë e lartë e vetëqeverisjes lokale që do ta realizonte pas zgjedhjeve përmes organeve lokale.

Sidoqoftë, pritet që të shihet nëse më 8 shtator Prishtina dhe Beogradi do të pajtohen përfundimisht për fletëvotimet dhe aspektet tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024