Thaçi: President vitin e ardhshëm

Thaçi: President vitin e ardhshëm
Në një intervistë për gazetën kroate "Vecernji List", para vizitës atje, Zëvendëskryeminitri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaci, ka folur edhe për marrëveshjen e cila parasheh që ai të jetë President i vendit. Ai është shprehur i bindur se do të vijë në këtë pozitë pasi Jahjaga të përfundojë mandatin në vitin e ardhshëm.

Intervista e plotë e Hashim Thaçit

Cila është arsyeja e vizitës në Kroaci dhe çfarë sillni me vete marrë parasysh se do të takoheni me presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviq, kryeministrin Milanoviq, kryetarin e Kuvendit dhe ministren e Punëve të Jashtme?
E kam nisur mandatin tim si zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës me dy qëllime: thellimin e ambicieve euroatlantike të vendimit tim dhe mbështetjen e qeverisë në sigurimin e një kalim gradual nga sistem shtetëror në sistemin e avancuar të BE-së duke futur reformat e nevojshme për anëtarësim. Të dy qëllimet janë të rëndësisë së veçantë për rajonin. Kosova duhet të njihet si eksportuese e iniciativave paqësore në vend të importit të resurseve të sigurisë. Dhe për këtë Kroacia është partner i rëndësishëm për Kosovën, sepse neve mund të na mësoj se çfarë duhet të arrijmë për anëtarësim në NATO dhe BE. Duhet të fillojmë të mendojmë në mënyrë regjionale. Kjo u pa edhe në Konferencën e 6 ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Prishtinë, ku pjesëmarrëse ishte edhe Serbisë. Kosova dhe Shqipëria tashmë e kanë ndërtuar lidhjen e tyre përmes autostradës, dhe nëse Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria do ta përfundojnë projektin e quajtur Jon-Adriatik, Kroacia do të ketë një korridor të ri transporti nga jugu në lindje të Evropës përmes Kosovës. Duhet të përgatitemi dhe të punojmë për bashkëpunim më të mirë ekonomik dhe politik.
Kosova dhe Kroacia gjithmonë kanë pasur marrëdhënie shumë të mira. A jeni të kënaqur me marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe a besoni se ato mund të jenë edhe më të mira?
Kroacia dhe Kosova kanë partneritet të veçantë. Gjatë viteve të 80-ta kur Jugosllavia dhe Serbia filluan dhunën kundër Kosovës, neve na përkrahte Kroacia. Kur Serbia e sulmoi Kroacinë gjatë viteve të 90-ta, shumë kosovarë ishin nder të parët që u rreshtuan në radhët e forcave kroate. Ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka qenë gjeneral në Ushtrinë e Kroacisë. Kroacia po ashtu ka qenë në mesin e shteteve të para që e ka njohur Kosovën. Kështu që vizita ime këtu është prioritet natyral dhe interes yni i përbashkët është zhvillimi i këtyre marrëdhënieve edhe në nivele tjera bashkëpunimi.
A jeni të kënaqur me statusin e pakicës shqiptare në Kroaci?
Mendoj se kjo pyetje është për pakicën shqiptare, por mendoj se është shumë e qartë se pakica shqiptare ka histori të gjatë të pranisë në Kroaci. Arkivat e Dubrovnikut janë përplot referenca të familjeve shqiptare përgjatë Dalmacisë. Shumë fëmijë kroat janë rritur në fqinjësi dhe janë ushqyer me ëmbëlsirat dhe bukën e gatuar nga shqiptarët ose kanë blerë ari nga argjendarët shqiptarë.
Pas krizës parlamentare jeni marrë vesh me kundërshtarin tuaj më të madh politik, Isa Mustafën për formimin e qeverisë. Kush lëshoi pe këtu dhe a kishte presion në juve dhe në Mustafën nga ana e SHBA-së dhe BE-së?
Kjo qeveri është e para që është formuar pa përzierjen e bashkësisë ndërkombëtare. Ka qenë proces i gjatë marrë parasysh se unë i fitova zgjedhjet por nuk e kisha shumicën. Më pas kishim mospajtime kushtetuese me partitë opozitare rreth asaj kush ka të drejt ta formojë qeverinë. Por në të këtë proces të gjitha partitë janë pajtuar se zgjedhjet ishin fer dhe transparente. Në fund e bëmë koalicionin e madh ndërmjet partisë së parë dhe të dytë, si në Gjermani. Unë i fitova zgjedhjet, por erdha në pozitë që të bëjë kompromis për të mirë të vendit dhe stabilitetit qeveritar.
A është marrëveshja ndërmjet juve dhe Mustafës që ju të jeni president i shtetit?
Po – marrëveshja për formimin e qeverisë së re të Kosovës ka bërë që Mustafa të jetë kryeministër, derisa unë president kur presidentja Jahjaga ta përfundoj mandatin e saj në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo është ndarje fer e punëve e cila siguron stabilitet në vazhdim.
A do të mundët qeveria juaj ta bëjë atë që nuk e ka bërë qeveria e kaluar: zhvillimin ekonomik, forcimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe çfarëdo lloj ekstremizmi?
Mendoj se analiza juaj për qeverisjen e kaluar është e gabuar. Në shtatë vitet e fundit, rritja e ekonomisë kosovare ka qenë 4 për qind megjithë krizën financiare. Në krahasim me Kroacinë, ose Serbinë, apo cilindo shtet tjetër në rajon, Kosova ka pasur rritje larg më të madhe ekonomike dhe për asnjë muaj nuk ishte në recesion. Kemi ndërtuar më shumë se 1500 km rrugë dhe autostrada dhe 100 shkolla, kështu që 40 për qind e buxhetit tonë ka shkuar në investimet publike. Ne po ashtu i kemi rritur pagat në sektorin publik për më shumë se 70 për qind në shtatë vitet e fundit, kur buxheti shtetëror është dyfishuar gjatë kohës sa unë isha kryeministër. Po ashtu ne e kemi mbajtur nivelin më të ulët në Evropë të borxhit të jashtëm, që ka mbetur në rreth 5% të GDP-së për këtë vit. Kështu që ka Kosova ka pësuar transformim të madh në këto 7 vitet e fundit të pavarësisë. Është e qartë që duhet edhe më shumë, kështu që duhet t’i bëjmë dy gjëra: rritjen ta shndërrojmë në vende pune dhe të fillojmë të thithim edhe më shumë investime të huaja që do t’i zëvendësonin investimet publike. Besoj se Isa Mustafa ka bazë të fuqishme për t’i vazhduar reformat ekonomike.
Kohëve të fundit Kosova është përballur me valë të dhunës dhe protestave. Ju akuzojnë juve se i keni tradhtuar interesat nacionale të Kosovës. Në krye të këtyre kundërshtimeve është ish bashkëluftëtari juaj, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti. Si do të përfundoj e gjithë kjo?
Kosova nuk ka pasur valë të dhunës, por vetëm dy protesta të dhunshme të organizuar nga ana e partive radikale të majta. Këso protesta nuk janë të pazakonta në Paris, Stokholm, Budapest apo Athinë. Ne nuk pranojmë protesta të dhunshme si mënyrë e të bërit politikë, e as populli kosovar nuk e pranon këtë. Në protestën e fundit ishin më pak se 4000 njerëz, por mjaftueshëm që të krijojnë dhunë në rrugë. Megjithatë Kosova është vend i sigurt. Shkala e vrasjeve është e ngjashme me atë në Suedi, derisa krimi për kokë banori është me i ulët se në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë.
Cila është e ardhmja e kombinatit Trepça? A është ky kombinat serb apo kosovar?
Trepça është kosovare, sepse kjo ka qenë bazë e Planit të Ahtisaarit, të cilin e kanë mbështetur e tërë bashkësia ndërkombëtare. Serbia insiston se Trepça në kohën e Millosheviqit i ka borxh shtetit para. Gjykatat ose bisedimet do t’i zgjidhin këto borxhe, por nuk ka dyshime se Trepça është e Kosovës dhe e Kosovës do të mbetet derisa qeveria e Kosovës nuk e identifikon modelin e privatizimit për minierat e saja të vlefshme.
Deputetët serbë e kanë bojkotuar punën në parlamentin kosovar për shkak të shkarkimit të kolegut të tyre, Aleksandar Jabllanoviq! A do të thotë bojkoti i tyre se edhe më tej janë nën ndikimin e Beograd e jo të pushtetit të Kosovës dhe a do të ndikoj kjo në punën e qeverisë kosovare?
Unë mendoj se politikanët serbë që janë pjesë e koalicionit tonë së shpejti do të kthehen. Ata u tërhoqën pasi që u shkarkua ministri serb për shkak të deklaratës së tij të papritur kundër viktimave të krimeve të luftës, por gjithashtu besoj se partitë serbe janë të vetëdijshme se mund të përmirësojnë gjendjen e serbëve të Kosovës vetëm nëse janë pjesë e pushtetit në Prishtinë e jo me bojkot apo duke shikuar vazhdimisht kah Beogradi. Kam besim të plotë se marrëveshja për normalizim e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të ketë impakt pozitiv edhe në integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës.
A do të mundet qeveria juaj të implementoj marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe a besoni që Serbia së shpejti do ta pranoj Kosovën në këtë përbërje të qeverisë serbe dhe me presidentin aktual?
Qeveria kosovar do ta përmbush pjesën e saj të marrëveshjes së Brukselit, sepse marrëveshja është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Serbia tashmë i ka njohur dokumentet e Kosovës, pasaportat, kufijtë, ligjet, zgjedhjet dhe kjo është mënyra që hap pas hapi, gjithashtu ta pranoj Kosovën, si pjesë e procesit të integrimeve evropiane. Në fund të këtij procesi, unë nuk ka dyshim se Kosova do ta hap ambasadën e saj në Beograd dh do të ketë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. A do të ndodh kjo në këtë mandat apo tjetrin, kjo varet se sa shpejt Serbia e pranon realitetin. Sepse de facto, Serbia e ka njohur Kosovën.
Pse keni pritur kaq gjatë që nga Serbia të kërkoni dëmshpërblim të luftës të bazuar në padinë për gjenocid të bërë gjatë luftës 1998-99?
Ne nuk kemi pritur deri me tash. Janë mbledhur shumë fakte dhe dokumente dhe besoj që Kosova ka pozicion më të fortë sesa Kroacia dhe Bosnja që të tregoj për përgjegjësinë që kishte Serbia dhe njesitë e ushtrisë së saj në territorin e Kosovës. Do të kërkojmë dëmshpërblim të luftës, sepse nuk ka dyshim që shteti serb ka qenë përgjegjës për shkatërrimin e më shumë se 60 për qind të pasurisë në Kosovë në luftën ndërmjet viteve 1998-1999 dhe kjo do të dëshmohet në gjykatë.
Si i komentoni provokimet e kriminelit të luftës, Vojisllav Sheshelit?
Nuk është problem Shesheli dhe deklaratat e tij provokative. Është një budalla i vjetër me ideologji të rrezikshme. E shoh problemin se ai mund të bëjë deklarata të tilla në Serbi dhe askush nga politikanët serb publikisht nuk e kundërshton. Mungesa e njohjes së krimeve të tmerrshme gjatë krijimit të projektit nacionalist të Serbisë së Madhe në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, krijon hapësirë për individ si Shesheli t’i dominoi mediat dhe diskursin publik, edhe pse ai është në gjykim për krime lufte në Hagë.
Të gjitha republikat e ish Jugosllavisë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës përveç Bosnjës! A besoni se përbërja e re e presidencës së Bosnjës do ta njoh pavarësinë e Kosovës?
Bosnja është bërë me e ashpër sesa vet Serbia. Momentalisht neve na duhen viza për të hyrë në Bosnje, pasi që Bosnja nuk i pranon pasaportat e Kosovës, edhe pse kosovarët mund të udhëtojnë përmes Serbisë vetëm me letërnjoftime. Po ashtu, Bosnja nuk i njeh diplomat shkollore dhe dokumentet të cilat i njeh Serbia. Kjo armiqësi është e papranueshme dhe shpresoj që qeveria e re boshnjake do të reflektoj në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore në Ballkan.
Kur prisni që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së?
Ne këtë vit do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, si hapin e parë formal drejt anëtarësimit në BE. Më pas do të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Gjithashtu do të aplikojmë në disa agjenci të OKB-së, gjithashtu do të kërkojmë edhe anëtarësim në NATO, para se të vijmë në pozicion që të bisedojmë për anëtarësim në OKB. Kosovën e kanë njohur shumica e vendeve të OKB-së, dhe ne gradualisht do të nisim procedurat për anëtarësim në OKB si proces i gjithëmbarshëm i integrimeve euro-atlantike. Për mua, më e rëndësishme është që Kosova të funksionojë, ta zhvillojë demokracinë dhe thellësisht të merret me integrimet me BE-në dhe NATO-n dhe në paqe më të gjithë fqinjtë.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)


  

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

'Të dy kandidatët janë të importuar', Kikia komenton zgjedhjet: Problemi me kartat, përgjegjësi edhe individët! ID nuk shërben vetëm për votime

'Të dy kandidatët janë të importuar', Kikia komenton zgjedhjet: Problemi me kartat, përgjegjësi edhe individët! ID nuk shërben vetëm për votime