Thaçi-SHBA-ve: Kërkoj mirëkuptim
për asociacionin në Veri

Thaçi-SHBA-ve: Kërkoj mirëkuptim<br />për asociacionin në Veri
TIRANE- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, William Burns.

Në bisedën telefonike, Burns, Thaçit i përcolli përshëndetjet e Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, i cili ka rikonfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën dhe qytetarët e saj edhe në të ardhmen.

“Zëvendëssekretari Burns tha se SHBA-ja është e përkushtuar ta mbështes dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe që do të lehtësonte rrugën e integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve. Ndërkaq, Thaçi falënderoi zëvendës sekretarin Burns për thirrjen telefonike dhe po ashtu falënderoi Qeverinë e SHBA-së për mbështetjen e madhe në këtë proces”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Thaçi e informoi Burnsin me faktin se të dy vendet janë në rrugë të mirë të arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Thaçi theksoi se “tani ne kemi nevojë për mbështetje më të madhe që do të mund ta merrnim nga ju dhe nga BE-ja për ta arritur këtë”.

“Ne kemi treguar kreativitetin dhe fleksibilitetin maksimal deri tani në mënyrë që të ofrojmë zgjidhje praktike që do të përmirësojë jetën e qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës, dhe për të sjellë tek ta besimin për t'u integruar në institucionet e Kosovës. Ne besojmë se tani është koha për Serbinë që të pajtohet për kushtet e marrëveshjes të dhëna me shkrim për çështjet për të cilat ata tashmë veç kanë dhënë pajtimin në mënyrë verbale, dhe kjo ka të bëjë me shpërbërjen e strukturave të sigurisë që veprojnë ilegalisht në veri dhe integrimin e tyre të menjëhershëm në strukturat legale të sigurisë së Republikës së Kosovës. Unë jam i gatshëm që të pajtohem për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që do t’iu mundësonte komunave me shumicë serbe të veriut, por gjithashtu edhe për të tjerat në jug, të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme të interesit. Përveç kësaj, ky asociacion mund të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe gjetiu. Ekziston një gamë e gjerë e funksioneve që do të mund t’i kryejë ky Asociacion dhe ne i kemi dhënë baroneshës Ashton një listë të kompetencave që mund t’i ketë ai. Por unë duhet t’iu informoj se ky Asociacion ose organ, ose komunitet siç dëshiron Serbia ta quajë atë, nuk mund të jetë një Organ i Zgjedhur dhe nuk mund të ketë as Kompetenca Ekzekutive. Kjo do të thotë që kompetencat e zgjeruara ekzekutive të komunave lokale serbe nuk mund të transferohen tek asociacionet, sepse kjo do të përbënte një nivel të tretë të Qeverisë e cila do të minonte Kushtetutën tonë dhe rendin e brendshëm shtetëror. Prandaj, unë fuqimisht ju lus për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj që ta shmangni këtë. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet nga të dy parlamentet, nga ai i Kosovës dhe ai i Serbisë; Së dyti, ne duhet të sigurohemi që të krijojmë një mekanizëm adekuat të udhëhequr nga dy Kryeministrat, baronesha Ashton në emër të BE-së, një përfaqësues i SHBA-së, dhe ndoshta një përfaqësues i NATO-s. Zbatimi është element kyç i tërë kësaj Marrëveshjeje”, citohet të ketë thënë ndër të tjera Kryeministri Thaçi.

Në fund të bisedës, Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, William Burns edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për shtetin e Kosovës, njofton Kabineti i Kryeministrit.

(gazetaexpress/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve