Thaçi: Ta lëmë të shkuarën
Daçiç: Kosova është edhe imja

Thaçi: Ta lëmë të shkuarën <br />Daçiç: Kosova është edhe imja
BRUKSEL - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me homologun e tij serb Ivica Daçiç. Kreu i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se është takuar për të zgjidhur problemet shekullore të Kosovës me Serbinë. “Nuk janë procese të lehta, por po punoj për fëmijët tanë që të mos u lëmë probleme të së kaluarës”, -ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka kujtuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, por sipas tij duhet ecur përpara dhe të punohet me parimet dhe vlerat evropianizuese.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç, nën praninë e kryediplomates evropiane, Catherine Ashton, është zhvilluar me qëllim të vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd.“Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdojë”, - thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Po sipas saj, takimi do të thotë një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane. “Ky proces patjetër që do e përshpejtojë integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”, citohet të ketë thënë zoti Thaçi.

Ndërkaq Ivica Daçiç, ka deklaruar se takimi i radhës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbahet në muajin nëntor, kur edhe Serbia të ketë përgatitur platformën e saj për bisedime.

Ai ka deklaruar për mediat serbe se temë e takimit të sotëm ka qenë “marrëveshja për dialog”. “Qëllimi i takimit në Bruksel ka qenë të shihet nëse ka dëshirë për dialog”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se Serbia “nuk ndryshon pozicionin e saj për qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës.

“Mendoj se është koha për marrëveshje historike, ndërsa jemi të gatshëm edhe për bisedime rreth statusit final”, ka thënë Daçiç. “I kam thënë Thaçit se Kosova, aq sa është e tija, është edhe e imja, sepse unë jam lindur në Kosovë”, ka shtuar Daçiç.

Kryeministri i Serbisë po ashtu ka thënë se “ka takuar njeriun, i cili në një raport të Këshillit të Evropës, dyshohet se ka tregtuar organet e serbëve në Kosovë”, por që si kryeministër “duhet të marrë pjesë në dialog”.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Catherine Ashton ka thënë se takimi me Kryeministrin Thaçi dhe Kryeministrin serb Daçiç, në zyrën e saj ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive.

“Ne u pajtuam që të vazhdojmë dialogun për normalizimin e raporteve mes dy palëve dhe të dyja palët shfaqën përkushtimin për të punuar së bashku. Në do të kemi takohemi së shpejti” thuhet në njoftimin e publikuar para pak minutash.

(jd/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë