PRISHTINË - Mbi 200 milionë euro pritet të investohen në Brezovicë, në "zhvillimin e qendrës më të mirë të skijimit në këtë pjesë të Ballkanit", paralajmëroi sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

"Procesi i tenderimit për koncesionin ka përfunduar disa javë me parë  dhe ekspertë të  USAID janë duke e analizuar ofertën e konzorciumit të famshëm francez. Brenda këtij viti do të përfundojë procesi shumëvjeçar i gjetjes së investitorit dhe kështu do të fillojë një faqe e re e zhvillimit ekonomik të këtyre trevave", thekson ai.
Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se, sot ishte në Brezovicë ku dëbora e parë ka zbardhur pistat e bukura.

"Skijatorët dhe popullata e kësaj ane janë të padurueshëm që mali ynë i famshëm të merr pamjen që meriton me investime të reja", shkruante sonte në Facebook.
Në fillim të shtatorit të kërij viti qeveria e Kosovës mori edhe vendimin preliminar për shpronësimin  e pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i Qendrës Turistike Brezovicë, në malet e Sharrit, në jug të Kosovës./ATSH/