PRISHTINË - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka organizuar sonte një pritje për sportistët kosovarë, me rastin e pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Ai ka siguruar sportistët kosovarë se do t'i mbështesë gjithmonë, deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare të sportit.
"Sonte dëshiroj të theksoj se Kosova është njohur nga 110 shtete më të fuqishme ndërkombëtare, por anëtarësimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, është një lloj i anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sepse sporti kosovar është njohur dhe pranuar nga e gjithë bota", u shpreh Thaçi.
Tani, tha ai mes tjerash, neve si institucione të vendit, si sport kosovar, na mbetet që të punojmë edhe më tepër, në veçanti që Kosova të anëtarësohet edhe në UEFA, edhe në FIFA dhe në FIBA.
Pjesëmarrës në festë ishin edhe ministri kosovar i Kulturës, Rinisë e Sportit, Memli Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, dhe qindra sportistë elitare. /ATSH/