Presidenti i Kosovës shpjegoi se përse duhet të realizohet tani marrëveshja me Serbinë, ndërsa rrëfeu edhe takimin me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Pse me kaq ngut marrëveshja?
Unë jam presidenti i vendit dhe e kam obligim të kultivoj funksionimin demokratik të institucioneve të vendit, por edhe në rrafshin strategjik të orientimit të vendit. Unë nuk dua që vendi im të jetë në drejtim të gabuar. Mund të ketë politika të gabuara të vendit tonë që përmirësohen, por politika strategjike nëse devijojmë, atëherë devijon vendi, shteti, shoqëria dhe natyrisht paguajmë çmim të lartë. Mos mendojmë ne se jemi epiqendra e botës? Ku do të ishim ne pa SHBA-të? Një vend i harruar, i përbuzur, i izoluar, i vrarë dhe në kuptimin e plotë të fjalës, në rrafshin ndërkombëtar nga askush të interesuar.
Po pse duhet ta realizojmë tani marrëveshjen me Serbinë? Pse ky ngut, brenda gjashtëmujorit të parë?
Realisht do të duhej ta bënim sa më shpejt. Ne kemi jetuar një armiqësi të përhershme, mbi njëshekullore, Kosovë-Serbi. Është ushtruar një dhunë e paparë, deri në përmasat e gjenocidit, spastrim etnik, 13.500 civilë janë vrarë, 850.000 njerëz janë dëbuar dhunshëm, rreth 20.000 gra janë dhunuar, 400 masakra serbe janë kryer në Kosovë dhe për fat të keq nuk është dënuar ende askush nga Serbia. Ata njerëz që i kanë organizuar këto vrasje, dhunime e dëbime janë në pushtet në Serbi, në instanca të ndryshme. Por, sot vendi është i lirë, i pavarur, me synime për anëtarësim në NATO dhe në BE. Ne duhet ta kujtojmë dhe ta respektojmë shumë të kaluarën tonë, duhet të kërkojmë drejtësi gjithmonë, por duhet të shikojmë edhe nga e ardhmja, të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme. Ne jemi një vend që kemi fituar 116 njohje, por vendet potencialisht që kanë pasur mundësi për të na njohur, na kanë njohur. Tani kanë mbetur vende që ose janë kundër pavarësisë së Kosovës, ose kanë rezerva. Kemi edhe një lobim të fuqishëm edhe prej Serbisë, por edhe prej aleatëve të Serbisë në botë.
Pse tani? Sepse për herë të parë, nuk ka ndodhur as në Rambuje, në vitin 1999, nuk ka ndodhur as në bisedat e Vjenës në vitet 2006-2008, që Serbi të ulet dhe të tregojë gatishmëri për të diskutuar për çështjen e njohjes reciproke. Dhe nga ana tjetër, kemi interesimin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, edhe me udhëheqjen e BE-së, por edhe fokusin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve, konkretisht të Shtëpisë së Bardhë, të vetë presidentit Tramp. Një fokus i tillë nuk i vjen shpesh dhe nuk i ndodh shpesh një vendi kaq të vogël si Kosova, apo rajonit tonë dhe në veçanti nga vetë personalisht Presidenti Tramp. Dhe nga ana tjetër kemi edhe një rrethanë favorizuese, unë nuk jam entuziast nëse do ta mbajnë fjalën apo jo, edhe një deklarim, të paktën verbal, por edhe nga takimi që unë kam pasur me Presidentin e Rusisë Putin, për herë të parë në Paris, ata deklarojnë se janë të gatshëm të njohin një marrëveshje, të mirëkuptojnë një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nënkupton largimin e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit.
Ky takim u ndërmjetësua nga Beogradi?
Ky takim nuk është ndërmjetësuar nga askush, ka ndodhur aty për aty, në një bashkëbisedim të këshilltarëve të mi me ata të Presidentit Putin. Në sallën ku është zhvilluar ky takim i shkurtër 5-7 minuta kanë qenë shumë pranë edhe Presidenti Tramp, edhe Presidenti Makron, edhe Kancelarja Merkel, kështu që ka qenë një vullnet i përbashkët i imi si President i shtetit të Kosovës për të diskutuar shumë hapur me Presidentin e Rusisë. Mendoj se takimi që ka ndodhur është mirë për Kosovën sepse për herë të parë, një President i Rusisë ka pranuar të diskutojë hapur, në mënyrë transparente dhe botërisht të njohur me presidentin e një shteti që ende ata nuk e njohin dhe që janë bllokada jonë kryesore në Këshillin e Sigurimit dhe për njohjen globale për Kosovën. Unë thashë që nuk jam entuziast, por biseda ka qenë korrekte. Pyetjet që i kam parashtruar Presidentit Putin kanë qenë shumë të qarta, por dhe përgjigjet kanë qenë të qarta. E kam pyetur shumë hapur që nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje përfundimtare midis tyre me njohje reciproke, si do të veprojë Rusia dhe ai tha që do ta pranojmë. Po pastaj, - e pyeta, - në çështjen në Këshillin e Sigurimit, si do të veprojë Rusia? Ne nuk mund ta zgjidhim as pse nuk është Serbia, - u përgjigj ai. Mendoj që janë gjëra të cilat, më herët na kanë munguar që t’i dëgjojmë nga Rusia zyrtare. Nëse do ta mbajnë fjalën apo jo, është çështje krejt tjetër.
Lajmi kryesor: