Thaçi: Kosova së shpejti do të jetë anëtare e barabartë e familjes së Kombeve të Bashkuara


/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deklaroi se shumë shpejt Kosova do të jetë anëtare e barabartë e familjes së Kombeve të Bashkuara .

Në fjalën e tij, kryeministri Thaçi theksoi se "ju lus që nga ju sot të njihet progresi i Kosovës dhe gatishmëria jonë për t'u ballafaqur me sfidat e reja. Që Kosova të ketë sukses të plotë dhe të pakthyeshëm, ju sot duhet të konfirmoni progresin e madh që kemi bërë për këto vite që nga koha kur i ndjeri dhe shumë i respektuari Serxho Di Mejllo filloi Misionin e UNMIK-ut në Kosovë. Realiteti i ri kërkon guxim edhe nga ju që të hapim një marrëdhënie te re, krejt normale politike ndërmjet OKB-së dhe Kosovës".
"Viti 2014 është vit që shënon 15 vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë që menjëhërë u pasua nga protektorati i OKB-së. 15 vite duken shumë, por në krahasim me shumë konflikte të ngrira që rëndojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjitha kontinentet, besoj se lirisht mund të konkludojmë së bashku se OKB në Kosovë ka pasur një nga misionet më të suksesshme të historisë së saj pikërisht në Kosovë".

"Kosova është sot një vend i lirë, me demokraci të qëndrueshme, me një ekonomi në rritje, me kushtetutë dhe ligje moderne, që garantojnë të drejtat e gjithë qytetarëve, e në veçanti të minoriteteve dhe që ka një decentralizimin të mirëfilltë të pushtetit. Kosova tashmë ka hyrë edhe formalisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke iniciuar nënshkrimin e Marrëveshjës së Stabilizim Asociimit dhe një gjë e tillë është konsideruar shumë e vështirë vetëm disa vite më parë", tha Thaçi.

Por, vijoi ai, falë dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjes historike të Brukselit, Kosova është transformuar nga një importuese e resurseve të sigurisë në një eksportuese të iniciativave globale për paqe dhe tolerancë. "Dua të falënderoj BE-në, SHBA-të, por edhe fqinjët tanë në Serbi për një guxim dhe përkushtim ndaj së ardhmes së fëmijëve tanë kur vendosëm të normalizojmë marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe kur vendosëm të shikojmë nga e ardhmja e dy shteteve fqinjë që synojnë idealet e familjes së kombeve Euro-Atlantike", tha Thaçi.

Jemi të vetëdijshëm, vijoi ai, që qytetarët serbë të Kosovës kanë pasur frikë dhe mosbesim ndaj qeverisë së Kosovës për shkak të gjithë asaj që ka ndodhur me dekada të tëra. "Por, më lejoni po ashtu të them se ky vit ishte viti i çementimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Pjesëmarrja e serbëve të veriut për herë të parë në zgjedhjet kombëtare të organizuara sipas ligjeve të Kosovës dhe pjesëmarrja e lidershipit serb në negociata për krijim të institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit është një ogur i mirë dhe një shpresë e madhe që edhe ky kapitull i dhimbshëm ka filluar të zgjidhet sipas dëshirës së popullit të Kosovës, sepse shqiptarë, serbë dhe të tjerë - që të gjithë ndajnë ëndërrat e njëjta, shpresat e njëjta dhe të drejtat e njejta për një të ardhme të sigurtë, me fokus nga ekonomia dhe krijimi i vendeve të reja të punës", nënvizoi Thaçi.
Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se "qytetarët e Kosovës, qofshin ata shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, turqë apo romë, tani më nuk u interesojnë fjalimet nacionaliste apo ëndërrat e vjetra etnike. Ata duan punë, duan progres dhe duan të shohin paqe pas dekadave të diskriminimit, luftës dhe pasigurisë. Prandaj, viti 2014 do të shënohet në historinë moderne të Kosovës si viti kur i tërë territori i Kosovës, si veriu ashtu edhe jugu, morën pjesë në proces demokratik dhe bashkëpunuan të krijojnë institucione, që kanë për detyrim të reflektojnë dhe punojnë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës".

"Falënderoj Misionin e OSBE-së, OKB-në, BE-në, SHBA-të dhe organizatat e shoqërisë civile që na ndihmuan të organizojmë zgjedhje të shkelqyeshme me standardet më të larta demokratike më 8 qërshor dhe me përfshirje të të gjitha komuniteteve kosovare", theksoi ai.

Falënderoj Sekretarin e Pergjithshem Ban Ki Moon, por edhe Departamentin e Shtetit Amerikan që në raportet e tyre këtë vit kanë vlerësuar rolin e Kosovës në promovimin e tolerancës ndërfetare. "Kosova është shembull i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë pas gjenocidit dhe luftës", përfundoi Thaçi
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?