Thaçi: Kosovë-Shqipëri, në të ardhmen pa pika kufitare

Zgjerimi i rrugës në pikëkalimin kufitar Kosovë-Shqipëri në Vërmicë është përuruar sot nga kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, në një ceremoni ku ishin edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, të Policisë dhe Doganës.

"Sot jemi këtu në kuadër të menaxhimit të integruar të kufijve, që po ndodh edhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës", deklaroi Thaçi në Vërmicë.
Ne, vijoi ai, kemi bërë një investim modest, por jashtëzakonisht bashkëkohor, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve sa më tepër që është e mundur.
"Prandaj, unë kam besim të plotë se edhe ky investim do të ndikojë jashtëzakonisht shumë për lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve nga Kosova për në Shqipëri", theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, vijoi ai, unë dua të shpresoj se edhe ky investim do ta lehtësojë edhe më tepër rrugën tonë dhe në një të ardhshme shumë të afërt të mos ketë fare pika kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

"Në këtë mënyrë do të jetojmë në një hapësirë evropiane në territorin tonë, që mos të ketë fare pengesa të tilla kufitare, por të gjithë njerëzit të lëvizin lirshëm, edhe mallrat, që do të jetë në interes të shteteve tona, në interes të njerëzve, si dhe në interes të vlerave euroatlantike", tha Thaçi.

Në 28 shkurt të këtij viti, në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projektit "Zgjerimi i rrugës në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë", me vlerë 376,490 euro.

Në tre muajt e verës 2014, në krahasim me verën 2013, është rritur me 260,411 fluksi i hyrje-daljeve Kosovë-Shqipëri, sipas shifrave zyrtare të kontrollit të personave nga tre pikëkalimet kufitare, Vërmicë, Qafë Morinë dhe Qafë Prush.

Në muajt qershor, korrik e gusht në vitin 2014 ishin 1,973,447 hyrje-dalje, ndërsa në 2013 kishte 1,713,036.

Ekskluzivisht për ATSH-në të dhënat zyrtare i bënë të ditura Policia e Kosovës. 

ATSH

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Shisnin kokainë e kanabis pranë një shkolle, arrestohen dy persona, 1 në hetim