PRISHTINË, 17 Shtator/ATSH/.- Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe, u takua sot me ministrin për Evropën të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington.
Sipas njoftimit të MPJ-së, Thaçi e njoftoi ministrin Lidington për fuqizimin dhe konsolidimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu theksoi avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, duke përmendur punën e madhe që po bëhet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, UEFA, FIFA, Interpol, etj.
Zëvendëskryeministri theksoi edhe angazhimin e Kosovës për të vendosur dialog politik me NATO-n.
Ministri për Evropën i Mbretërisë së Bashkuar, Lidington përgëzoi Republikën e Kosovës për vendimet e vështira, por të drejta dhe të guximshme që ka marrë kohët e fundit.
Lidington po ashtu theksoi përkrahjen, si dhe inkurajoi vendet e tjera që të përkrahin anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Thaçi gjatë takimit, po ashtu, ka theksuar rëndësinë e avancimit të proceseve eurointegruese të Kosovës. "Republika e Kosovës është në rrugë të drejtë. Bashkimi Evropian të mos vonohet me ne dhe të na trajtojë njëlloj si vendet e tjera të rajonit", tha Thaçi.
Gjatë vizitës zyrtare në Londër, zëvendëskryeministri Thaçi zhvilloi takime me përfaqësues shtetëror të Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësues të Parlamentit, të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve dhe të mediave, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Kosovës./KosovaPress//m.m/









