PRISHTINË, 21 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se grupet e punës të PDK-së dhe LDK-së janë takuar për të harmonizuar çështjet programore dhe se shumë shpejt do të përmbyllet çështja e ndarjet së posteve.
"Gjithçka është duke shkuar sipas planit. Sot grupet e punës të PDK-së dhe LDK-së janë takuar për të harmonizuar çështjet programore. Është duke u punuar në mënyrë intensive dhe shpresoj që shumë shpejt do të përmbyllet edhe kjo çështje. Gjithçka është e qartë duke e respektuar plotësisht marrëveshjen e arritur mes PDK-s, LDK-së dhe partnerëve minoritar që do të jenë si pjesë e ndërtimit të institucioneve legjislative, ekzekutive dhe presidenciale", citon KosovaPress./m.m/