PRISHTINË- "UÇK kurrë nuk ka luftuar për çështje fetare, por emancipuese në frymën europiane", deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas shkrimit të disa grafiteve provokuese në muret e Manastirit të Deçanit, që heqin paralele mes UÇK-së dhe ISIS.
"Fillimisht duhet të dënojmë një incident të tillë sepse objekti i Manastirit të Deçanit nuk është vetëm mur, por trashëgimi e mbrojtur me ligje të Republikës dhe statusin si një vlerë të njohur botërore e ka edhe nga UNESCO", thekson ai.
Për më shumë, vijon Thaçi, grafite me mesazhe të tilla janë edhe kundër vlerave më të shenjta të luftës për çlirimin e Kosovës. "UÇK kurrë nuk ka luftuar për çështje fetare, por emancipuese në frymën europiane. Për dallim nga shtetet e tjera ballkanike që kanë pasur njësite xhihadiste apo ekstremiste panortodokse, ne kemi zhvilluar një luftë të ndihmuar nga aleanca më e madhe në botë, NATO. Dora e atij që fut në një fjali UÇK dhe ISIS nuk është dorë që i do të mirën shqiptarëve, pakicave dhe Kosovës", shkruan Thaçi në Facebook./ATSh/