Lideri i PDK-së njëkohësisht kryeministri Hashim Thaçi
PRISHTINË, 18 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës së djeshme konstituive të Kuvendit të Kosovës janë të pavlefshme - të barabarta me një zero të madhe, shprehet sot lideri i PDK-së , njëkohësisht kryeministri Hashim Thaçi.
"Dje pamë skena jo të dinjitetshme për demokracinë kosovare, të nxitura nga liderë politikë që kurrë në jetën e vet nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje në 15 vite në Kosovën e lirë. Partitë politike humbëse të zgjedhjeve të 8 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, dhunuan institucionin më të lartë të vendit", shkruan Thaçi në Facebook.
PDK , vijon Thaç, duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe jo të vlefshme vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës së djeshme konstituive, shpreh qëndrimin e saj se këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues janë të pavlefshme, të barabarta me një zero të madhe.
Thaçi paralajmëron se, "do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion".
"Ne jemi zotuar ta ruajmë qetësinë karshi këtyre zhvillimeve të pashembullta dhe amatore. Besoni në shtetin që e kemi ndërtuar së bashku dhe në funksionimin demokratik dhe legal të institucioneve të Republikës së Kosovës", përfundon Thaçi. /k.s/