'The Independent': Tirana në krye të qyteteve për të vizituar në 2019

'The Independent': Tirana në krye të qyteteve për të vizituar në 2019

E përditshmja britanike “The Independent” i ka kushtuar një reportazh të gjatë ndryshimeve të konsiderueshme që ka pësuar Tirana në vitet e fundit duke argumentuar se sa i gabuar është opinioni negativ që qarkullon për Shqipërinë jashtë vendit.

Mbi të gjitha, gazetari Ryan Chatterton thekson se ndonëse Shqipëria ka ende shumë probleme dhe punë për të bërë, elementët pozitivë i tejkalojnë ato negativë.

Më poshtë vijon artikulli:

“Më fal, je në Toronto? Mendova se më thatë se ishit në Europë”. Kolegu ishte krejt i hutuar, ndonëse edhe theksi im amerikan me shumë mundësi kishte bërë pasojat e veta.

“Jo, jo Toronto”, i thashë. “Tirana. Është kryeqyteti i Shqipërisë”. U përpoqa të theksoj bashkëtingëlloret.

As gjeografia nuk më ndihmoi shumë. Vendndodhja e këtij qyteti shpesh herë krijon shumë ngatërresë mes miqve dhe kolegëve të mi.

Përse Shqipëria? A nuk është e rrezikshme? A kanë rrugë? Jam i habitur që wifi është kaq i mirë!

Në të vërtetë, nuk dija shumë për Shqipërinë para udhëtimit tim për në Tiranë në verën e vitit 2018. Dhe e pranoj, kisha krijuar një opinion negativ për rajonin, ndonëse nuk kisha asnjë provë. Ndonëse nuk dija asgjë për vendin apo banorët e tij, e imagjinoja Shqipërinë si një vend të rrezikshëm dhe të shkatërruar, me shumë pak infrastrukturë dhe me krimin që lulëzon.

Historia e Shqipërisë është e komplikuar, mbushur me shtypje, luftë, izolim, tensione me fqinjët dhe një diktator të çmendur. Një seri ngjarjesh fatkeqe, nga 500 vite pushtim nga Perandoria Osmane dhe një diktaturë komuniste katër dekada të gjatë, duke kaluar nga një konflikt civil postkomunist në 1997, nuk i kanë dhënë Shqipërisë shumë kohë për t’u zhvilluar në epokën moderne. Fatkeqësisht, shumë vende ballkanike kanë një linjë historike të ngjashme.

Thënë këtë, për habinë dhe gëzimin tim të madh, kurrë nuk kam gabuar më shumë për një vend. Ushqimi është i jashtëzakonshëm dhe i lirë. Qendra e qytetit plot gjallëri dhe e ngrohtë me një jetë nate të zhvilluar. Për më tepër, moti është fantastik. Si një nomad dixhital, ku shpeshherë qëndroj në një vend për tre ose më shumë muaj, kisha shtuar zyrtarisht Tiranën në listën time të qyteteve për të vizituar në 2019.

Tirana ka talent

Transformimi i kryeqytetit shqiptar është diçka habitëse në katër vitet e fundit, duke e lënë pas dekadën e kaluar.

Për këtë arsye, kur lexova një artikull të fundit nga redaktorja për udhëtimet, Cathy Adams në “The Independent”, të titulluar “Valentine’s Day 2019: Why Tirana is the Best Place to Spend It” (Dita e Shën Valentinit 2019: Përse Tirana është vendi më i mirë për ta kaluar”, fillova të sqarohem për disa çështje. Adams këshillonte lexuesit që të kalonin pushime romantike në Tiranë, duke treguar për gjendjen e keqe të infrastrukturës së saj, përfshirë gropat dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.

Mospërputhja ime kryesore kishte të bënte me faktin se ajo bazohej në eksperienca të 10 viteve më parë. Ndonëse vazhdon të ketë disa gropa dhe me raste ndonjë ndërprerje të energjisë në Tiranë. Pra imazhi i krijuar në këtë artikull është shumë larg realitetit të ditëve moderne të Tiranës.

E sfidova Adams në argumentet e saj dhe ajo më ftoi të shkruaj këtë artikull si përgjigje.

Një prej transformimeve më të dukshme është zona e Bllokut. Është i vogël, vetëm 0,25 kilometra katrorë. Mund ta përshkruash të gjithë në më pak se 10 minuta. Megjithatë, është krijuar një kulturë emocionuese dhe është përhapur edhe në lagjet pranë. Sot, dhjetëra kafene, bare dhe restorante, si dhe dyqane, ndodhen rresht në të gjitha drejtimet e çdo rruge dhe korridori.

Jetoj dhe punoj në Bllok dhe, për pasojë, rutina ime e mëngjesit përfshin ndenjjen nën rrezet e diellit në tarracën e “Çoko”, vendi im i preferuar për të ngrënë mëngjesin. Çdo ditë, porosis një tost të kripur franko-amerikan, mjaftueshëm për të mbushur barkun. Pas punës, marr një hamburger me proshutë në barin amerikan, “Duff”, ose shkoj tek “Apulia Pizzeria” për një prej picave më të mira italiane që kam ngrënë ndonjëherë. Një tjetër preferencë është edhe “Fishop”, ku mund të shijosh gatime deti të freskëta. Më pas, shkojmë tek “Nouvelle Vague”, një bar me koktejle i dekoruar me stil të vjetër.

Në krye të vlerave, shërbimi në Shqipëri është gjithashtu i vështirë për t’u mundur. Shqipëtarët kanë një shprehje që thotë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut”, të refuzosh një mik, ose ta trajtosh keq është çnderuese dhe tregon mënyrën se si trajtohen blerësit.

Kafenetë, baret dhe restorantet nuk mund ta transformojnë të vetme një qytet. Tirana ka përjetuar gjithashtu investime të konsiderueshme në projekte të infrastrukturës publike.

Shembulli i parë është rikrijimi i sheshit kryesor, sheshi “Skënderbe”, që dikur përbëhej nga një rrethrrotullim që rrethonte një lëndinë të vogël dhe statujën e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, emrin e të cilit e mban edhe sheshi. Nuk ishte shumë i bukur.

Por sot është kthyer në një hapësirë publike të këndëshme. E shndërruar në hapësirë për këmbësorët dhe e zgjeruar me mijëra pllaka të bukura prej guri, ndriçim elegant si dhe pemë dhe shkurre të vendosura me shije, është bërë një vend tërheqës për takime dhe evente, si për shembull shfaqja e Kupës së Botës 2018, që tërhoqi qindra fansa për të parë çdo ndeshje.

E gjithë kjo nuk mjafton për të thënë se Shqipëria është një destinacion turistik i përkryer. Në të vërtetë, vendi ka nevojë për shumë më shumë përmirësime infrastrukturore që të jenë plotësisht të aksesueshme për udhëtarët.

Megjithatë, është pikërisht kjo mungesë e përsosmërisë që ka tërhequr 30 000 turistë aventurierë çdo vit për të eksploruar kanionet e thepisur dhe ujëvarat madhështore. Madje, fushata e fundit turistike “Be Taken By Albania”, thekson këtë veçori, duke deklaruar se Shqipëria është “mbrojtësi i fundit i origjinalitetit”.

Do të kishit të drejtë nëse do të supozonit se Tirana bashkë me Shqipërinë nuk janë pa probleme. Ka korrupsion, njerëzit i japin makinës keq dhe shumica e banorëve nuk e pijnë ujin e rubinetit. Por cilësitë e mira i tejkalojnë ato negative dhe gjërat vetëm mund të shkojnë më mirë.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla