‘The Washington Post’: Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit kulm i arritjeve, tani mund të jetë një zë i fortë për çështjet e paqes dhe sigurisë

‘The Washington Post’: Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit kulm i arritjeve, tani mund të jetë një zë i fortë për çështjet e paqes dhe sigurisë

Foto nga mbledhja e OKB

Kombet e Bashkuara zgjodhën pesë vende, Shqipërinë, Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ganën dhe Gabonin, për t'u bashkuar me Këshillin të Sigurimit të Premten.

Sipas “The Washington Post”, fakti që Shqipëria u bë pjesë e Këshillit të Sigurimit, konsiderohet si kulm i arritjeve, sepse tashmë mund të jetë një zë i fortë për çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ishte Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Volkan Bozkir ai i cili njoftoi rezultatet e votimit të fshehtë, duke uruar edhe fituesit.

Mandati për 5 anëtarët e rinj të Këshillit do të fillojë më 1 Janar, duke zëvendësuar kështu 5 vendet, Estonia, Nigeria, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami, të cilat qëndruan për një mandat 2-vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Emratet e Bashkuara Arabe, Gana dhe Gaboni, do të bashkohen me 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit, SHBA Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca dhe me 5 vende të zgjedhura nga viti i kaluar, India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka përmes rrjetit të saj social u shpreh se kjo për Shqipërinë është një mundës historike. Edhe Ambasadorja e Kombeve të Bashkuara falënderoi të gjithë vendet për votat dhe besimin që i treguan Shqipërisë.

Në votimet e së premtes, Shqipëria mori 175 vota. Gana 185 vota, Gabon 183 vota, Brazili 181 vota dhe  Emiratet e Bashkuara Arabe 179.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:30
DW: Shqipëria ngjitet në çatinë e botës, por me cilat prioritete?

Shqipëria u zgjodh dje anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shqipëria do të ketë kështu një votë në vendimet që merren nga Këshilli i Sigurimit. Është kjo hera e parë që Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit, që prej anëtarësimit në OKB më 1955. Në votimin e bërë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Shqipëria mori 170 vota nga 190 vendet që votuan.

Përfaqësuese e grupit të vendeve europiano-lindore

Shqipëria është në këtë ulëse, përfaqësuese e grupit të vendeve europiano-lindore. Që të kandidonte Shqipërisë iu desh fillimisht të marrë pëlqimin nga 23 shtetet e grupit të vendeve europiane lindore. Zgjedhja e një përfaqësuesi nga ky grup bëhet një herë në dy vjet, në vitin tek. Pas vitit 1991 ky grup është zgjeruar me 15 anëtarë, për shkak të shteteve të reja të krijuara nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë. 11 vende të grupit janë anëtare të Bashkimit Europian, katër janë kandidatë, mes tyre Shqipëria.

Në „marrëveshjen e zotërinjve" të vitit 1946, ka pas qenë parashikuar që vendet e Europës Lindore të kenë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por kjo nuk u realizua asnjëherë dhe Bashkimi Sovjetik dhe Perëndimi për 20 vjet me radhë patën ulur kandidatin e tyre të preferuar në këtë ndenjëse. Ky vend ka pas qenë shumë i preferuar mes shteteve as këndej e as andej, pra pa ndarje të qartë rajonale dhe politike, si për shembull Filipinet dhe Jugosllavia dikur.

Përveç grupit të vendeve europiano lindore, vendet bëhen bashkë në grupin afrikan me 54 shtete, grupin e Azisë dhe Paqësorit me 54 shtete, grupin e Amerikës Latine dhe Karaibeve me 33 shtete dhe grupin e europiano-perëndimorëve dhe vendeve të tjera me 28 shtete. 63 vende, mes tyre edhe Shqipëria nuk kanë qenë deri tani asnjëherë anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

Prioritetet e Shqipërisë

Kandidimin Shqipëria e ka bërë që më 2009 dhe ka theksuar në fushatë se do të sjellë në Këshillin e Sigurimit perspektivën e një vendi të vogël me politikë të jashtme konstruktive dhe përkushtim ndaj multilaterizmit.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka 

Pesë çështje janë kyçe për Shqipërinë: gruaja, paqja dhe siguria, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, të drejtat e njeriut, klima dhe siguria dhe metodat e punës së Këshillit të Sigurimit.

Çështjet kryesore dy vitet e ardhshme

Disa nga çështjet që do e shoqërojnë Këshillin e Sigurimit më 2022 janë Izraeli dhe Palestina, Mjanmari, Siria dhe Ukraina. Po ashtu vazhdimi i marrëveshjeve për operacionet e paqes, mandati i tyre, kostot dhe rritja e efektivitetit. Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit mendojnë se ushqimi dhe klima duhet të futen në çështjet e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare. Disa vende të tjera jo. Për shembull, Shqipëria, Gana, Gaboni dhe Emiratet e Bashkuara kërkojnë rritjen e rolit të Këshillit të Sigurimit në ndryshimin e klimës dhe çështjet e sigurisë. Kurse Kina, Rusia, India dhe Brazili kanë rezerva për punën e Këshillit në këtë pikë.

Angazhimi i KS në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm pritet të shtohet më 2022 po ashtu si përpjekjet për zbatimin e axhendës gruaja, paqja dhe siguria./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së