Thellohen përplasjet për kreun e
FRPD, në garë vetëm 3 kandidatë

Thellohen përplasjet për kreun e<br />FRPD, në garë vetëm 3 kandidatë
TIRANE - Tre nga gjashtë kandidatët që u regjistruan fillimisht për kryetarin e ri të FRPD, e dëshmuan shumë shpejt se këto zgjedhje ishin thjesht aventurë për ta, duke e braktisur procesin që në ditët e para. Pas Greta Koçit e cila la Konventën e Kavajës, dje në Mat u “dorëzuan” edhe Enri Çeno e Lisandër Hoxha. Konventa e Matit u shoqërua nga momente tensioni mes anëtarëve të FRPD, pasi ish-drejtuesja e këtij forumi, Greta Koçi bëri thirrje publikisht që mbështetësit e saj të japin votat për kandidatin tjetër, Belind Këlliçi. Ky moment shërbeu për të ndezur situatën, derisa u kërkua ndërhyrja e grupit të punës që organizon zgjedhjet, i ngritur një muaj më parë nga kryetari demokrat, Lulzim Basha, të cilët mësohet se i kanë tërhequr vërejtje ish-nënkryetares së FRPD, Greta Koçi që të mos provokojë dhe intimidojë garën.

Më herët, Koçi bëri publike një letër të saj rreth ‘arsyeve’ se pse tërhiqej nga gara, por që vetëm arsyetim që nuk kishte në të. Sipas saj, tërheqja nga gara bëhej për motive krejtësisht personale. Por nga ana tjetër, nxitimthi shprehu preferencën e saj për një nga kandidatët, njëherazi ish-rivali i saj, Belind Këlliçi. “Për arsye personale, me keqardhje të thellë më duhet t’ju bëj me dije dorëheqjen time si kandidate në garën zgjedhore për Kryetarin e ri të FRPD.

Megjithatë, jam e bindur se të gjithë kandidatët që janë në garë mbartin vlera të padiskutueshme dhe kanë dhënë kontributin e tyre të veçantë për Partinë Demokratike, por duke i njohur mirë platformat dhe alternativat që ata japin për organizimin dhe mirëmenaxhimin e të rinjve dhe të rejave demokrate, unë personalisht do të mbështes Belind Këlliçin për postin e Kryetarit të ri të FRPD. Ftoj të gjithë mbështetësit dhe dashamirësit e mi, si edhe të gjithë të rinjtë dhe të rejat demokrate që duan të shohin një Forum Rinor që të jetë promotore e vlerave të vërteta dhe avokate e të drejtave tona, të votojnë Belind Këlliçin”, tha ajo, duke përfunduar se do të vazhdojë të kontribuojë në FRPD dhe PD njësoj si më parë.
 
Fiton Këlliçi
Konventa e Matit ishte e treta për zgjedhjet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në përfundim të procesit të votimit nga 207 anëtarë të forumit rinor, fitues u shpall kandidati Belind Këlliçi me 122 vota, i ndjekur nga Ervin Salianji me 71 vota, ndërsa Oriela Nebijaj ka marrë 10 vota. Edhe pse u tërhoq nga gara, të rinjtët e Matit ia kanë adresuar 2 vota ish kandidatit Enri Çeno, por nga ana tjetër kanë kursyer Lisandër Hoxhën me asnjë votë. Kjo është Konventa e parë të cilën e fiton rivali direkt i Ervin Salianjit në këtë garë, Belind Këlliçi. Të dielën, Salianji fitoi bindshëm në Vlorë me 310 vota, duke lënë pas me diferencë të ndjeshme rivalët Këlliçi dhe Nebijaj. Në Kavajë, përballja që më e vështirë dhe u shoqërua nga një rezultat tepër i ngushtë mes 3 kandidatëve kryesorë, diferenca mes tyre ishte vetëm me nga 4 vota, por që fitues u shpall Ervin Salianji. Sot është radha e të rinjve Lushnjarë që të shprehin votën e tyre për kryetarin e ardhshëm të FRPD. Në tre Konventat e para, kryeson Ervin Salianji me 462 vota, i ndjekur nga Belind Këlliçi me 444 vota, ndërsa 109 vota ka arritur të grumbullojë Oriela Nebijaj.  

Ja çfarë shkrua nënkryetarja e FRPD-së Greta Koci:
 
Të dashur miq, mbështetës, të rinj dhe të reja demokrate. Po ju drejtohem sot me shpresën se sinqeriteti dhe përkushtimi im në FRPD gjatë periudhës 4 vjeçare që kam mbajtur postin e Nënkryetares, nuk ju ka zhgënjyer. Ju keni qenë forca ime e vërtetë, pasi me mbështetjen tuaj më keni motivuar gjithmonë në rrugëtimin tim politik. Kam qenë gjithmonë e bindur se nëse në çdo vendim timin, në funksionin e Nënkryetares së FRPD, do të mbaja parasysh energjinë, idetë dhe vullnetin tuaj për të luftuar me mish e me shpirt për lirinë dhe demokracinë, së bashku do të bënim të pamundurën, të mundur. Së bashku kemi qenë në krye të aksioneve opozitare për më shumë drejtësi, dinjitet dhe mirëqenie. I kemi kërkuar të drejtat tona kudo dhe çdo herë që kjo qeveri ka nëpërkëmbur vlerat demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut.

Sinqerisht, më lejoni t’ju shpreh falënderimet e mia më të thella për të gjithë besimin që patët tek unë, me bindjen se së bashku kemi ndarë çaste të mrekullueshme në një kohë kur demokracia rrezikohej dhe vazhdon ende të rrezikohet nga ata që e urrejnë progresin dhe vizionin e një Shqipërie me vlera evropiane. Dua gjithashtu të falënderoj liderin historik të Partisë Demokratike, Z. Sali Berisha, për besimin që pati tek unë kur më caktoi në këtë post mjaft të rëndësishëm në FRPD, si edhe Kryetarin aktual të demokratëve, Z. Lulzim Basha, për bashkëpunimin e mrekullueshëm që kam patur gjatë kësaj kohe në kauzën tonë të përbashkët si kërkesa primare e Partisë Demokratike, që është dekriminalizimi i politikës dhe rikthimi i një parlamentarizmi të denjë për shqiptarët.

Për arsye personale, me keqardhje të thellë më duhet t’ju bëj me dije dorëheqjen time si kandidate në garën zgjedhore për Kryetarin e ri të FRPD. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, kontributi dhe puna ime e ngushtë me FRPD dhe Partinë Demokratike do të vazhdojë të jetë njësoj si më parë për sfidat që na presin në kuadër të aksioneve opozitare. Jam e bindur se të gjithë kandidatët që janë në garë mbartin vlera të padiskutueshme dhe kanë dhënë kontributin e tyre të veçantë për Partinë Demokratike, por duke i njohur mirë platformat dhe alternativat që ata japin për organizimin dhe mirëmenaxhimin e të rinjve dhe të rejave demokrate, unë personalisht do të mbështes Belind Këlliçin për postin e Kryetarit të ri të FRPD. Ftoj të gjithë mbështetësit dhe dashamirësit e mi, si edhe të gjithë të rinjtë dhe të rejat demokrate që duan të shohin një Forum Rinor që të jetë promotore e vlerave të vërteta dhe avokate e të drejtave tona, të votojnë Belind Këlliçin. Ju falenderoj edhe njëherë për mbështetjen tuaj dhe shihemi në aksionet e ardhshme opozitare. 


frpd
(Në foto Ervin Salianji, Oriela Nebiaj dhe Belind Këlliçi)

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ E rrallë, foka viziton bregdetin e Sarandës

VIDEOLAJM/ E rrallë, foka viziton bregdetin e Sarandës