LONDER- Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange planifikon të largohet së shpejti nga ambasada e Ekuadorit në Londër. Duke folur gjatë një konference për shtyp, Assange bëri të ditur se vuan nga probleme shëndetësore, siç kanë raportuar edhe mediat britanike, por nuk ishte kjo arsyeja e largimit.
 
Assange ka qëndruar 2 vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi, në lidhje me akuzat për sulme seksuale. Ish-hackeri i kompjuterëve fitoi rëndësi ndërkombëtare në vitin 2010, ku Wikileaks nisi shpërndarjen e videove sekrete të mijëra diplomatëve amerikanë, cilësuar kjo si rrjedhja më e madhe e dokumenteve të klasifikuara në historinë e SHBA. Kjo e bëri atë një hero për anti-censurën, por një kërcënim për Ushingtonin dhe qeveritë e tjera.
 
Assange u përball me kritika të shumta pasi kishte vënë në rrezik dokumente të agjentëve sekretë në vendet ku ishte e rrezikshme për ta bërë këtë. Për këtë, një gjykatë suedeze, la në fuqi një urdhër arresti për Assange në muajin qershor, ndërsa avokatët e tij kanë argumentuar se urdhër arresti duhet të shfuqizohet, pasi nuk mund të zbatohet. Prokurorët suedezë duan ta marrin në pyetje atë mbi akuzat për ngacmim seksual të bëra nga 2 ish-vullnetare të Wikileaks.
 
Assange i ka mohuar akuzat dhe po lufton në një betejë ligjore kundër ekstradimit që prej arrestimit të tij në Britani në dhjetor të 2010-ës. Ai thotë se ka frikë se Suedia mund ta ekstradojë atë në SHBA për t’u gjykuar për rrjedhjen e informacionit të klasifikuar.

Redaksia Online
(b.be.s/shqiptarja.com)