TIRANE- Konfindustria do t'i kërkojë zyrtarisht qeverisë dhe vendimarrjes politike marrjen e masave të jashtëzakonshme me qëllim kthimin e besimit të investitorëve dhe qytetarëve në sistemin bankar, të lëkundur nga rënia e menaxhimit të Bankës së Shqipërisë. Me anë të një deklarate për median, drejtori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka kërkuar që duhet të nisin menjëherë negociatat me Bankën Qëndrore Europiane për drejtimin e Bankës së Shqipërisë.

Konfindustria në këshillim me partnerë ndërkombëtare, ka vlerësuar se, nderhyrja e jashtëzakonshme në institucionin dhe legjislacionin mbi të cilën ushtrohet veprimtaria e Bankës së Shqipërisë, duhet të mbeshtetet në 2 shtylla kryesore. Kështu hapi i parë duhet bërë është, parashikimin me ligj për fillimin e menjëhershëm të negociatave me Bankën Qendrore Europiane për kalimin e menjëhershëm të drejtimit të Bankës Shqiptare në nivel ekzekutiv nga një personalitet ndërkombetar i fushës.

Gjithashtu shumica relative në Këshillin Mbikqyrës të bankës ti përkasë personaliteteve ndërkombëtare të fushës së propozuara nga banka Qëndrore Europiane ose bankave qëndrore të vendeve të zhvilluara demokratike, bën të ditur Konfindustria. Ndërkaq, masa e dytë është fillimi i negociatave me Bankën Qëndrore Europiane për gjetjen e menyrave për zevendesimin sa më të shpejtë të monedhës kombëtare Lek me monedhën e Bashkimit Europiane- Euro.

Sipas këtij institucioni, paaftësia e plotë e deritashme për të zhvilluar politika monetare efektive për ekonominë, kostot shtesë të shkëmbimeve si dhe mundësia për të abuzuar me operacionet me monedhën kombëtare, sikurse dështimi i fundit në institucionin e Bankës së Shqipërisë, e mbështesin këtë kërkesë, që sipas tyre, në kushte të tjera do ishte jo e këshillueshme.