TIRANE - Prokurori Ramadan Troci, që drejtoi hetimet për skandalin e vjedhjes së 713 miliard lekë nga Banka e Shqipërisë dhe që firmosi urdhër-arrestin për guvernatorin Ardian Fullani është emëruar në krye të prokurorisë së Vlorës. Prezantimi i Trocit në krye të këtij dikasteri, është bërë ditën e djeshme nga zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme ndërkohë që vendimi për caktimin e tij në krye të akuzës së Vlorës ishte marrë disa ditë më parë nga prokurori Adriatik Llalla.

Sipas burimeve të prokurorisë, lëvizja e Trocit është bërë pikërisht kur brenda këtij muaji, ai po përgatiste dosjen kundër Ardian Fullanit, duke e çuar këtë të fundit si të pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Prokurori Troci pritet që zyrtarisht të marrë detyrën ditën e hënë, ku do menaxhojë punën hetimore në këtë dikaster. Prokuroria e Vlorës njihet si një nga akuzat e vendit me intesitet të lartë pune, ndërkohë që problematikat më të shumta që hetohen në këtë akuzë, janë ato për pronat në bregdet, vrasjet mafioze etj.

Komandimi 4 muaj
Transferimi i prokurorit të dosjes “Fullani” është kryer për një afat katër mujor, ku gjatë kësaj periudhe Troci do të qëndrojë i komanduar. Një komandim të tillë 4 mujor, sapo e ka përfunduar prokurori Hysen Keta, për të cilin Llalla pak ditë më parë ka urdhëruar transferimin e tij në prokurorinë e Tiranës, si prokuror i thjeshtë. Këto ndryshime, sipas burimeve të prokurorisë vijnë si pasojë e një riorganizmi brenda prokurorisë, pasi ka mbi ngarkesë të dosjeve hetimore.

Nuk dihet se pas përfundimit të afatit 4 mujor, Ramadan Troci, do të vijojë të qëndrojë në krye të prokurorisë së Vlorës ose jo. Ndërkohë e paqartë mbetet dhe mënyra se si do të vijojë të përfaqësohet prokuroria në gjykatë për dosjen e 19 zyrtarëve të arrestuar për skandalin e Bankës së Shqipërisë. Ka shumë gjasa që me urdhër të kryeprokurorit Llalla të komandohet një tjetër prokuror në këtë dosje, i cili do ndjekë procedurat gjyqësore ndaj zyrtarëve të arrestuar dhe ish-guvernatorit Fullani.

Troci sërisht në dosje
Edhe pse jo zyrtarisht zëra pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ka shumë mundësi që Troci të komandohet për të ndjekur vetëm gjyqin e Ardian Fullanit dhe tre zyrtarëve të tjerë. Megjithëse kjo mënyrë është përsëritur dhe disa herë të tjera, drejtues të akuzës qëndrore shprehen se për rastin konkret nuk përjashtohet si mundësi. Tashmë pritet një vendim në ditët në vijim për të mësuar nëse Troci do vijojë në krye të kësaj dosje apo ajo do i kalojë një prokurori tjetër.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)