Thimi Mitkoja “del” nga harresa

Thimi Mitkoja “del” nga harresa
Thimi Mitkoja, një nga veprimtarët e shquar të Rilindjes Kombëtare, është njohur deri më sot kryesisht si folklorist, themelues i folkloristikës shqiptare. Me zbulimin dhe botimin e veprës leksikografike të mbetur në dorëshkrim “Fjalëtore shqip-gërqisht, gërqisht shqip”, paraqitet një përmasë tjetër e personalitetit të tij, ajo e leksikografit. E zbuluar tridhjetë vjet më parë dhe e sjellë në Shqipëri si pjesë e arkivit të Mitkos, që ruhej në Aleksandri të Egjiptit, nga trashëgimtarët e tij, ajo sot rizbulohet përmes këtij botimi përgatitur nga prof. dr. Dhori Qirjazi.

“Fjalëtorja” e Thimi Mitkos është një monument i shqipes, një vepër madhore ndërmarrë prej tij si pjesë e programit kulturor të Rilindjes, jo vetëm për të dëshmuar vlerat identitare të kombit, por dhe për të vënë themelet e kulturës kombëtare dhe të gjuhës letrare, me vepra bazale si alfabeti, gramatika dhe fjalori.

Nuk është e rastit që kësaj ndërmarrjeje i kanë hyrë në të njëjtën kohë, në vitet 60-80 të shekullit XIX, K. Kristoforidhi me fjalorin e tij shqip-greqisht, S. Frashëri me “Fjalëtoren” e tij të gjuhës shqipe dhe Th. Mitkoja me “Fjalëtoren shqip-gërqisht e gërqisht shqip”, të trija mbetur të pabotuara me gjallje të autorëve. Fjalori i Kristoforidhit u botua më 1904, “Fjalëtores” së S. Frashërit nuk i dihet fati, kurse “Fjalëtorja” e Mitkos po e sheh dritën e botimit, pas 125 vjetëve nga vdekja e tij.

Sikur të mos mjaftonte puna për mbledhjen dhe botimin e folklorit shqiptar, realizuar me veprën monumentale “Bleta shqiptare” (1878), Th. Mitkoja i kushtohet një fushe tjetër, duke mbledhur me të njëjtin përkushtim e pasion, jo vetëm krijimet popullore folklorike, por edhe fjalën shqipe.

“Fjalëtorja” dhe sprovat e tjera leksikografike të Mitkos, përfshirë dhe “Fjalorin italisht-greqisht dhe shqip”, zbuluar tridhjetë vjet më parë po në arkivin e Mitkos në Aleksandri dhe depozituar në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, janë një vepër jete e këtij punëtori të palodhur të dijës albanologjike. Ky korpus veprash leksikografike jo vetëm pasuron traditën e leksikografisë shqipe të Rilindjes por konservon një pasuri të rrezikuar të fondit të leksikut historik të shqipes.

“Fjalëtorja” e Mitkos përmban rreth 6000 fjalë lema, që me vjeljen e brendshme të fjalorit, shkon në dyfishin e tyre, po aq sa fjalori i Kristoforidhit. Jo vetëm ky fakt, por edhe vlerat e tjera të veprës, e bëjnë “Fjalëtoren” e Mitkos gati të një rëndësie me atë të Kristoforidhit, që vuri bazat e leksikografisë shqipe si një fushë pak e lëvruar e albanologjisë shqiptare.
Thimi Mitkoja ishte folklorist, e njihte mirë gjuhën e popullit dhe me fjalorin e tij ka regjistruar e shpëtuar fjalën e rrallë shqipe që jetonte në gojën e popullit.

Por jo vetëm kaq; siç e dëshmojnë dhe shënimet për ubikacionin e fjalës, ai ka vjelë gjithçka njihte nga botimet e deriatëhershme shqipe, botime të folkloristëve e autorëve shqiptarë e arbëreshë nga të gjitha trevat, nga Veriu dhe nga Jugu, me fjalë të tjera nga gjithë hapësira shqipfolëse. Nga kjo prirje gjithëpërfshirëse, në përputhje me programin kulturor të Rilindjes dhe me konceptin e purizmit gjuhësor, ai mënjanon sa mund fjalët e huaja, sidomos orientalizmat, por qëmton fjalët burimore, sidomos të gurrës popullore, fjalë të rralla që nuk i ka as Kristoforidhi, pasurinë e saj frazeologjike e sinonimike, sidomos në ballafaqim me greqishten.

Në hartimin e këtij fjalori autori ka parasysh shqipfolësin dhe synon që t’u japë në dorë bashkatdhetarëve një vepër që t’i ndihmojë të zotërojnë gjuhën e tyre amtare; greqishtja në këtë rast shërben si një hallkë ndërmjetëse, për përdoruesët e fjalorit. Duke qenë dygjuhëshe, vepra leksikografike e Mitkos fiton dhe një përmasë ballkanike, si një vepër me interes jo vetëm për albanologjinë por edhe për ballkanistikën.

Puna në fushën e fjalorëve i ka marrë shumë kohë dhe energji krijuese Mitkos; ajo ka qenë një sferë interesash shkencore për të jo më pak tërheqëse se sa folkloristika. Falë kësaj pune dhe këtij përkushtimi ai la trashëgim sprova leksikografike me interes të veçantë, jo vetëm për historinë e leksikografisë, por dhe për fonetikën, dialektologjinë, dhe në përgjithësi për gjuhësinë historike dhe studimet në këto fusha.

Dorëshkrimi autograf  i “Fjalëtores”  së Mitkos, i ruajtur në arkivin e tij, nuk paraqet një vepër të përfunduar gati për botim. Kështu që përgatitësit të këtij botimi, prof. dr. Dhori Qirjazit, i është dashur një punë e madhe prej murgu, me përkushtim shumëvjeçar, për ta bërë të botueshme. Vështirësitë e shumta që paraqet teksti autograf i shkapërderdhur, vështirësitë e transkriptimit dhe të përpunimit leksikografik, përgatitësi i botimit, i ka kapërcyer falë përvojës së tij si leksikograf e autor studimesh gjuhësore, si dhe falë njohjes së mirë prej tij si të shqipes dhe të greqishtes.

Korpusi leksikografik i Th. Mitkos, përgatitur prej prof. dr. Dhori Qirjazit, paraqet një botim të mirëfilltë filologjik, realizuar me akribi dhe me kritere shkencore dhe me nivel të lartë. Me këtë punë Dh. Qijazi e ka rizbuluar Th. Mitkon si leksikograf, dhe e ka shpëtuar veprën e tij nga harresa dhe nga humbja.

Botimi kritik-shkencor i kësaj vepre në kuadër të serisë “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar”, që ka ndërmarrë prej kohësh Akademia e Shkencave, është një ngjarje në jetën tonë shkencore dhe kulturore, dhe veçanërisht një arritje e shënuar në fushë të studimeve albanologjike.

Por ky botim do të duhej të shërbente dhe si një kujtesë për institucionet shkencore albanologjike, sidomos të shkencave etnologjike dhe filologjike, për të ndërmarrë nismën e botimit të plotë akademik, të veprës së Mitkos, si një projekt afatgjatë në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së atdhetarit, etnologut, leksikografit, poetit dhe lëvruesit të palodhur të shqipes, Thimi Mitkos. Viti 2020 nuk është as larg as dhe afër, koha është e mjaftueshme për të realizuar një projekt të tillë.
mitko


























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë