Ankthi nuk duhet parë si një gjendje mendore që nis vetëm nga faktorët socialë. Ai duhet parë edhe tek shëndeti i trupit tonë. Sipas nutricionistit Altin Joka i ftuar në “Rreze Dielli” në Report TV, problemi i ankthit duhet të shihet tek lëndët bazë që ne kemi në organizëm.
“Ankthi nuk ka ilaç për ta kuruar, i gjithë problemi duhet parë në organizëm. Fillimisht ne duhet të kuptojmë a na mungojnë lëndët bazë, duhet të shohim a kemi ulje kujtese, marramendje, përgjumje, pra duhet kuptuar thelbi. Nëse ju konsumoni alkool, merrni doza të larta sheqeri ose kafeje, sigurisht që do të keni pagjumësi, pra truri ne na flet dhe ne mundohemi t’i mbyllim gojën, kur në fakt mund të kemi mungesë lëndësh minerale”, u shpreh Joka.
Nutricionisti renditi disa elementë shumë të rëndësishëm që ndikojnë në mirëfunksionimin e trurit tonë.
Ja cilat janë disa nga elementët kyç që i duhen trurit
Përpara se truri të jetë pjesë e një bote psikologjike, duhet të kuptojmë që atij i duhen disa lëndë të domosdoshme për të funksionuar. Magnezi është frena e sistemit tonë nervor, është kryesor për të sjellë gjendjen e qetësisë. Atë mund ta gjejmë tek farat, tek kakao etj. Vaji i peshkut gjithashtu është shumë i domosdoshëm, pasi ndërton membranat e neuroneve. Shumë të rëndësishme janë vitaminat B kompleks, B6, B9 dhe B12. Mungesa e tyre sjell nervozizëm, ankth, apati. Këto vitamina i gjeni tek mëlçia e viçit ose e qingjit si dhe tek veza, mishi etj. Nga ana tjetër Hekuri është shumë i rëndësishëm, sepse ndihmon në transportin e oksigjenit në tru. Atë e gjeni tek perimet jeshile, mëlçia, mishi i kuq, etj. Niveli i vitaminës D është shumë thelbësor, pasi ndikon tek humori juaj. Mungesa e saj sjell trishtim, nga trishtimi fillon ankthi, lodhja deri tek depresioni. Kjo vitaminë merret sidomos nga dielli, por ajo gjendet edhe tek veza, peshku, etj. Zinku është balancuesi kryesor i shëndetit mendor, mungesa e tij sjell nervozizëm. Kujdes me acetikolinën, mungesa e saj sjell probleme në përqëndrim. Rëndësi kanë edhe aminoacidet bazë si tirozina, glicina, të cilat gjenden tek lëkurat e peshkut dhe mishit.
“Kujdes me shëndetin e zorrës, 90 përqind e serotoninës prodhohet në zorrë. Pra shëndeti mendor fillon tek zorra juaj, gjaku juaj, qeliza - jo tek psikologu juaj”, theksoi Joka.
Por cilat janë disa nga analizat që tregojnë terrenin biologjik ku ankthi mund të zhvillohet?
Sipas Jokës, duhet të shihni aneminë dhe nivelin e ferritinës. Bëni analizat për B12 dhe B9, mungesa e tyre jep ndjesi trishtimi dhe lodhje mendore. Shihni nivelin e vitaminës D, kontrolloni tiroidet, bëni analizat e magnezit si dhe sheqerin në gjak, hemoglobinën e glukozuar.
Ja kur duhet të shqetësoheni
“Nëse keni probleme me gjumin, vështirësi në kujtesë, ju duket vetja të pavlefshëm ose keni mendime rreth vdekjes, këto shenja duhen marrë seriozisht!”
Cilat janë grupet shoqërore që rrezikohen më shumë të preken nga ankthi
Sipas nutricionistit Joka gratë janë më të rrezikuara, pasi ato kanë më shumë mungesë të hekurit, të magnezit, të vitaminave B6 dhe B12 si dhe kanë lëkundje hormonale nga cikli menstrual, pra janë më të predispozuara të preken nga ankthi. Adoleshentët gjithashtu, pasi ushqehen me produkte të çastit duke pasur mungesë të lëndëve bazë, por këtu ka ndikim edhe aspekti social.
“Të rinjtë sot jetojnë në një ambient armiqësor, jemi në një krizë psikologjike. Një ndër shkaqet kryesore të ankthit është neuroinflamacioni kronik nga ushqimi modern. Kjo ka sjellë rritjen e nivelit të kausit në trurin e tyre. Dopamina artificiale, gjetja e kënaqësisë tek Tik Tok, instagram etj, pra nuk kanë një dopaminë natyrale. Të rinjtë e sotëm s’kanë vitaminën D se rrinë brenda, zgjohen vonë, kanë pagjumësi kronike, etj duke i sjellur lodhje e shumë problematika. Të rinjtë e sotëm nuk marrin ushqime të shëndetshme, kjo ndikon në disbiozën e zorrës, veç kësaj ata nuk lëvizin më, nuk dalin, nuk ecin si dhe përjetojnë izolim social. Truri ka nevojë për kontakte reale, ndaj ka ankth, varfëri emocionale, dëshpërim gjithashtu. Edhe tek të moshuarit, përthithja e lëndëve është më e vështirë, ata duke pasur probleme me shëndetin përdorin medikamente, por kanë edhe shkaqe sociale si vetmia, etj”, shpjegoi Joka.
Nutricionisti Joka tha gjithashtu se duhet të heqim dorë nga ushqimet e përpunuara, duhet të lidhemi me natyrën, duhet të lëvizim, bima është baza kryesore e organizmit, duhet të reduktojmë dopaminën artificale, në 2035 sëmundjet mendore do të zënë vendin e parë të përhapjes e pas tyre do zhvillohet kanceri!
Komente












