Thirrjet për luftë në Siri
lihen në burg 8 xhihadistët

Thirrjet për luftë në Siri<br />lihen në burg 8 xhihadistët
TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e "arrestit me burg" për 8 të arrestuarit, të cilët dyshohet se kanë krijuar celula të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri. Ditën e djeshme u dha masa e arrestit për 2 imamët dhe 2 besimtarë, ndërsa sot Gjykata dha vendimin edhe për 4 të arrestuarit e tjerë.

Të arrestuarit para trupit gjykues kanë pretenduar se nuk kishin kryer akte terroriste, por kanë predikuar vetëm fenë islame dhe Allahun. Gjykata vendosur sot masën e arrestit me burg për Orion Reçin, Edmond Ballën, Verdi Moravën dhe Astrit Tolën.

Disa besimtarë myslimanë ishin mbledhur para godinës së gjykatës duke kundërshtuar arrestimin e 8 xhihadistëve. Pas përfundimit të masës së sigurisë babai i Edmond Ballës u konfliktua verbalisht me uniformat blu të sigurisë në burgun 313 pasi kërkonte që të fuste ushqimi për djalin në qeli. 

DJE ISHTE MASA E SIGURISE PER 2 IMAMET 
Ndërkaq, ditën e djeshme gjyqtari Sandër Simoni, vendosi të lërë në qeli imamin e vetëshpallur të xhamisë së Mëzezit, Bajram Hysa i njohur mes besimtarëve edhe me emrin Ebu Usama dhe imamin tjetër Genci Balla, i njohur si Abdurrahim Balla.

Në burg kanë mbetur dhe dy ndihmësit Zeqir Imeri dhe Fadil Muslimani, të cilët ashtu si dy imamët s’kanë pranuar akuzat e prokurorisë. Ndërkohë teksa zhvillohej gjyqi për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër personave, para gjykatës janë mbledhur dhjetëra besimtarë që frekuentonin dy xhamitë, në të cilat ushtronin aktivitet dy imamët. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë janë dislokuar para gjykatës.

"Mësohet se Hysa, para gjyqtarit dhe prokurores, pranoi faktin se i kishte bërë thirrje besimtarëve të shkojnë dhe të luftojnë në Siri, në mbrojtje të vëllezërve myslimanë. Këto dhe të tjera thirrje si këto, Hysa u shpreh se do të vazhdojë t’i bëjë, si detyrim ndaj vëllezërve myslimanë që vazhdojnë të vuajnë në tokën e Sham-it (Siri)."- shkruan sot Shqiptarja.com print. 

Më pas, seanca vazhdoi me imamin e vetëshpallur të xhamisë së Unazës së re, Genc Balla i njohur edhe me emrin Shej Abdurrahim Balla. Gjatë fjalës së tij, Balla nuk pranoi akuzën, duke e cilësuar predikimin e tij të drejtë dhe të ligjshëm. Ai mohoi faktin e dërgimit të besimtarëve në Siri, duke pretenduar se nuk kishte gisht në organizmin dhe dërgimin e tyre për të luftuar. Balla, është shprehur se fjalët e thëna nga ai, janë vetëm fjalë të kuranit dhe jo fjalë dhune apo terrorizëm. Sipas tij, nuk është terrorizëm të flasësh dhe predikosh fenë islame. Edhe ndaj Ballës, gjykata la në fuqi masën e “arrestit me burg”.

NDIHMËSIT NË QELI
Zeqir Imeri i njohur edhe si Zekeria, i cili vetëm pak muaj më parë është kthyer nga Siria, si dhe i dyshuari Fadil Muslimani, që mendohet se është ndihmësi i dy organziatorëve dhe gjente besimtar, të cilët donin të shkonin të luftojnë në Siri. Edhe këta të dy të dyshuar, mohuan akuzat duke e cilësuar veten të pafajshëm dhe të lirë për të bërë çdo veprim që nuk cenon të drejtat e të tjerëve. Pavarësisht deklarimeve, edhe këta dy të dyshuar mbetën në qeli.

Redaksia Online
(e.s/d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë