Thjesht, Tedi Papavrami! Dy pikat
kulmore të koncerteve

Thjesht, Tedi Papavrami! Dy pikat<br />kulmore të koncerteve
Personaliteti i violinistit Tedi Papavrami tërheq vëmendjen e medias, publikut dhe duket sikur gjithçka është bërë e njohur. Midis dyzimit të shkrimit apo frikës se mediat e kanë përçuar misionin, mjafton të klikosh në faqen e tij në internet për të shëtitur mes programit të pasur, kalendarit të koncerteve dhe interpretimeve. Teksa ndjek një publikim të fundit të sonatës nr. 7 op 30 të  Bethovenit për piano e violinë, postuar së fundmi në you tube, nuk mundesh të heshtësh dhe të kënaqesh me atë që këto ditë shtypi ka përçuar me mjaft kënaqësi.

Duke shëtitur nga njëri interpretim tek tjetri, me tingujt e mrekullueshëm plot ndjenjë të kësaj sonate në sfond, përtej librit të publikuar së fundmi, përkthimeve të veprave të Kadaresë, ndalesa tek muzika, tek violina është e pashmangshme. Përtej interesit të publikut për të lexuar historinë e jetës së Papavramit, ikjes dhe shumë e shumë detajeve që gjenden në libër dhe krahasohen me fugën, të Bachut, për muzikantët, specialistët , instrumentistët, të gjithë ata të apasionuar pas muzikës klasike, interpretimi në violinë mbetet gjithmonë një burim shkrimi e diskutimi. I njohur për interpretimet e një sërë veprash të mëdha e të njohura të literaturës violinistike, nga 24 Kapricciot e Paganinit, tek 3 sonata e Brahmsit, Bartok, e të tjerë kompozitorë, ky debutim i Papavramit në Tiranë shpalosi një  kompozitor e një vepër komplekse.

Ishte Bachu, me sonatat dhe partitat për violinë solo, apo “Vecchio Maestro“, siç e quanin në kohët e vjetra, që në mënyrë përfekte me tingujt e rrallë të një organoje të mishëruar në një violinë, magjepsi spektatorët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dy net rradhazi. Kjo partitutë e gjatë, ky libër i shkruar me nota muzikore, i ndarë  në 3 sonata dhe 3 partita, e  secila në kohë që herë ngjasojnë me suitën e vjetër, e herë me vallen, u soll e gjitha në dy net, interpretuar perfekt nga Papavrami. Një pjesë e publikut shfletoi librin e sapobotuar, ndërsa tingujt e violinës përcuan nga fillimi deri në fund muzikën e Bachut, këtë muzikë të magjishme, si një thesar të muzikës violinistike, si një partiturë me peshë e vlerë, si një libër aristokrat ku violinisti me tingullin , akordet, teknikën, sjell plotë, guximshëm, një violinë që nuk është më e vetme.

Ky rol i violinës soliste, ky destinacion i një instrumenti që ngjason me fugën me shumë zëra, kjo muzikë herë e shpejtë dhe herë e ngadalshme, mes përjetimesh dhe  emocionesh, vetëm kjo mjeshtëri e Bachut të madh e bëjnë këtë partiturë të vështirë, unike, speciale , njëkohësisht dhe triumfuese. Pararel me librin e shkruar, si një muzikë që i ndjek violinistët për gjithë jetën, gjatë formimit dhe më pas në performancën në skenë, Papavrami ka gjetur këtë paralele midis shkrimit dhe librit. Ndonëse për vite dhe vite violinistët e interpretojnë, studiojnë  këtë muzikë, për shkak të vështirësisë  së konceptimit dhe interpretimit, thellësisë dhe teknikës së harkut, jo të gjithë violinistët e interpretojnë më pas në skenë. Një pjesë zgjedhin një ose dy sonata apo partita, më rrallë një interpretim të plotë integral të të gjithave. Heroi Papavrami i solli të plota për herë të parë në Shqipëri, këtë literaturë sa të njohur, aq dhe të diskutueshme për ta intërpretuar në koncert nga violinistët. I njohur për sfidat me Kapriciot e Paganinit, Tedi Pappavrami erdhi ndryshe, me një kompozitor të vështirë, në një sipërmarrje impenjative dhe të suksesshme.

Vite më parë më kish bërë përshtypje një violiniste e njohur ruse që interpretonte në Firence ciklin e plotë të këtyre sonatave dhe partitave të ndarë në tre mbrëmje. Interpretimi i Papavramit i solli këto vepra në stilin e sotëm të kohës, të trajtimit, duke i dhënë ritmin e jëtës së sotme të mishëruar në pjesët e shpejta, ku të mahnit me aftësitë e tij teknike dhe interpretative, me profesionalizmin e rrallë të ndërthurur me saktësi e ndjenjë, në një balancë të habitshme. Efekti kohë dukej se sfidohej nga violina dhe ato rrumbullakoseshin , interpretimi i Papavramit të krijonte ndjesinë se mbaronin shpejt. Gjithçka perfekte, profesionalizëm, inteligjencë dhe momente magjie të Sonatës së Dytë, atje ku shpirti i artistit duket se arriti mrekullinë, një trajtim i magjishëm që nuk pranonte koment.

Dy pikat kulmore të koncerteve, Sonata e Dytë e natës së parë dhe Partita e Dytë e natës së dytë, ku përfshihet Ciaccona erdhën si dy modele të rritjes së emocionit dhe si kulme të suksesit të Papavramit në finale të netëve të debutimit më të fundit në Tiranë. Artistë të tjerë, muzikantë të tjerë mundohen t’i ngjasojnë me muzikantë të shquar, media jonë u vë shpesh epitete, emra të mëdhenj. Violinisti që interpretoi për herë të parë të plota sonatata e partitat e njohura të Bahut në Tiranë e quajnë thjesht Tedi.

Kaq mjafton, repertori, videot, koncertet nëpër botë, rrugëtimi në you tube nga intërpretimet e fëmijërisë e deri sot flasin për personalitetin, talentin dhe përkushtimin e pamasë. Teksa e shikon në skenën e Operës, midis atyre copëzave pikturash, që nuk arrin t’i shikosh, pasi ndjek muzikën në çdo notë, kupton se ka një pakt midis tij dhe violinës, që çdo gjë do jetë e përsosur. Në intervista të tjera përtej skenës është po aq modest dhe i sinqertë, aq sa munden të jenë vetëm ata më të mirët, të shkëlqyerit.

*Autorja e shkrimit është violiniste, Profesore e Asociuar, pedagoge në Universitetin e Arteve 

Redaksia Online

(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit