Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të pezulluar përpunimin e vizave emigratore për 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria, u shoqërua me një arsyetim që tingëllon i dyshimtë: emigrantët nga këto vende “marrin ndihma sociale në nivele të papranueshme për popullin amerikan”. Një fjali e tillë, e servirur pa asnjë shënim shpjegues, pa asnjë burim dhe pa asnjë ndarje të qartë statistikore, është propagandë.
Në datën 4 janar të këtij viti, presidenti Trump publikoi në Truth Social një listë me kombe që, sipas tij, “jetojnë me welfare”. Shqipëria ishte aty me shifrën misterioze 41.3 për qind. Askush nuk e di ende çfarë përfaqëson kjo shifër: emigrantë të sapoardhur apo qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare? Përfitime legale apo abuzime penale? Ndihma të përkohshme emergjente apo skema të plota sociale? Nga cila databazë u morën këto të dhëna? Cila agjenci federale i raportoi? Heshtje absolute. Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë institucione që prodhojnë statistika të imta: Census Bureau, Department of Homeland Security, USCIS, HHS, Social Security Administration. Asnjë prej tyre nuk publikon raporte që ndajnë përfitimet sociale sipas kombësisë së emigrantëve në këtë mënyrë politike dhe stigmatizuese. Me aq sa kam kërkuar unë, asnjë agjenci federale amerikane nuk ka raportuar ndonjë të dhënë të tillë.
Lista e 75 vendeve ka një tipar të përbashkët: shumica janë vende që Trump i ka etiketuar më parë si “shithole countries”. Somalia, Haiti, Eritrea, Irani, etj., vende që për vite me radhë janë parë nga administratat trumpiste si problem gjeopolitik, kulturor ose elektoral. Këtu kemi të bëjmë me një logjikë selektive politike, ku nëse vjen nga një vend i varfër ose i brishtë institucionalisht, konsiderohesh potencialisht barrë. Welfare-i shndërrohet kështu në alibi morale për një vendim që në thelb është politik, elektoral dhe simbolik: t’i thuash elektoratit se po “mbron pasurinë amerikane” duke mbyllur dyert për ata që po e grabisin atë.
Por Shqipëria nuk ndodhet rastësisht në këtë listë. Ne jemi sot vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Evropë në raport me popullsinë. Një vend pa luftë, pa katastrofa natyrore masive, pa regjim totalitar klasik, por me një eksod masiv. Ky realitet flet më shumë për dështimin e politikave tona të brendshme sesa për ndonjë paragjykim amerikan. Kur qytetarët ikin në numra biblikë nga një vend që në letra quhet “demokraci në tranzicion”, problemi nuk është Amerika, por Tirana.
Administrata Trump sot nuk sheh qytetarin shqiptar si individ, por si pjesë të një mase që kërkon azil, që troket në dyert e welfare-it dhe që shfaqet në statistika të mjegullta. Kjo është padrejtësi, por edhe pasojë direkte e politikave që kanë prodhuar dëshpërim, varfëri dhe mungesë perspektive në Shqipëri. Pezullimi i vizave emigratore nuk i ndëshkon abuzuesit, ata tashmë janë brenda sistemit, por familjet që presin bashkimin familjar, profesionistët që kanë ndjekur çdo rregull ligjor dhe njerëzit që nuk kanë kërkuar kurrë ndihmë sociale. Në emër të një shifre pa burim, mbyllen dyert për mijëra histori individuale.
Ndihma sociale nuk është shkaku. Në Tiranë duhet të pyesim veten se çfarë po bëjmë që Shqipëria të mos shfaqet më në këto lista turpi. Shpresa në Shqipëri nuk po shuhet rastësisht, por po mbytet çdo ditë nga një sistem që prej 35 vitesh riciklon të njëjtën kastë politike, të njëjtat fytyra dhe të njëjtat mekanizma pushteti. Demokracia reale ka mbetur slogan, jo përvojë qytetare. Rotacioni politik është bërë pothuajse i pamundur, zgjedhjet kontestohen rregullisht dhe nuk njihen nga palët, ndërsa raportet ndërkombëtare flasin çdo vit për të njëjtat plagë: institucione të dobëta, kapje të shtetit, korrupsion sistemik dhe drejtësi selektive. Në këtë mjedis, qytetari nuk sheh më ndryshim si rezultat vote, por vetëm si rezultat emigrimi.
Dhe si të mos ikin të rinjtë, kur jetojnë në një vend që mbytet sa herë bie shi, ku bujqësia dhe blegtoria janë shndërruar në dekor statistikor ndërkohë që tregjet mbushen me produkte importi, ku prodhimi vendor po vdes dhe shpresa po eksportohet bashkë me rininë? Ky nuk është thjesht dështim ekonomik, por dështim moral dhe politik. Është ky realitet i brendshëm, jo welfare-i amerikan, që e shtyn Shqipërinë drejt listave të turpit dhe qytetarët drejt dyerve të mbyllura të botës.
Komente









