Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë po zhvillohej një konferencë shkencore me një temë që premtonte të trazonte jo pak mendje: “Demokracia e brendshme e partive si pengesë për zhvillimin e demokracisë së vendit”. Salla ishte e mbushur plot me akademikë, studiues dhe politikanë, të gjithë të ulur me një seriozitet që të linte të kuptoje se diçka shumë e rëndësishme pritej të thuhej. Në rreshtat e parë kishte shënime, lapsa dhe kokë që tundeshin lehtë në shenjë miratimi paraprak. Të gjithë prisnin me padurim referatin kryesor të Profesor Doktor Mustafa Mustafait. Profesori u ngrit ngadalë, rregulloi syzet me një lëvizje të matur, sistemoi letrat që mbante në dorë sikur të ishte duke vendosur fatin e demokracisë mbi tryezë, hodhi një vështrim të gjatë mbi sallë dhe, pasi siguroi vëmendjen e plotë të të pranishmëve, filloi:

Të nderuar kolegë,

Ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur këtë kumtesë mbi një rast studimor që, siç duket, kërkon një përditësim të vazhdueshëm të teorisë duke ndjekur praktikën. Tema ime lidhet me funksionimin konkret të demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare dhe do të përpiqem ta trajtoj në mënyrë sa më të saktë, duke respektuar të dhënat që kemi mbledhur, çdo informacion apo fakt nga vëzhgimet, përvoja direkte, dhe jo nga teoria apo hamendësimi.

Le të fillojmë me një rast shumë të qartë dhe të verifikueshëm në terren: jemi tani në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotit Sali Berisha. Duhet ta shënojmë paraprakisht emrin e njeriut që do të zgjidhet kryetar dhe ky është Sali Berisha. Kemi një kandidat të vetëm. Për qëllime studimore e kemi ndarë: kandidati Sali Berisha, fraksion një, që kandidon kundër kandidatit Sali Berisha, fraksion dy. Njëlloj si ata lojtarët e shahut që luajnë vetëm përballë tabelës së shahut dhe njëherë lëvizin ushtarët e zinj dhe herën tjetër kuajt e bardhë. Ajo quhet lojë shahu dhe njëlloj edhe procesi i zgjedhjes së Sali Berishës kryetar quhet zgjedhje. Sali Berisha ka dhënë kështu një nga kontributet më të rëndësishme të këtij modeli në teorinë politike: zgjedhjet nuk kërkojnë domosdoshmërisht shumë kandidatë. Mjafton një.

Kjo krijon një situatë shumë interesante nga pikëpamja analitike. Votuesit nuk përballen me dilema. Nuk ka nevojë për krahasim programesh, për analiza të thelluara, për debate të gjata. Procesi është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe i qartë. Kandidati është i njohur, rezultati është i ditur dhe procesi është i përfunduar pa komplikime të panevojshme. Në këtë mënyrë, reduktohet ndjeshëm lodhja politike e anëtarësisë.

Në këtë pikë lind pyetja e zakonshme akademike: po statuti çfarë thotë? Statuti parashikon dorëheqjen e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve. Ky është një rregull klasik. Por këtu kemi një zhvillim metodologjik që meriton vëmendje: humbja nuk konsiderohet më si kategori. Ajo është riformuluar si një fenomen i jashtëm, i cili nuk lidhet me performancën e subjektit politik, por me ndërhyrje të faktorëve të tjerë. Pra, zgjedhjet nuk humben; ato “vidhen”. Dhe nëse vidhen, atëherë rezultati nuk është i vlefshëm për të prodhuar pasoja të brendshme si dorëheqja. Kjo është një zgjidhje që ruan njëkohësisht koherencën formale të rregullave dhe vazhdimësinë e lidershipit.

Tani, për të balancuar analizën, kalojmë në rastin e Partisë Socialiste të Shqipërisë nën drejtimin e Edi Ramës. Në këtë rast, kemi një qasje tjetër, e cila mund të përshkruhet si një përmirësim i mëtejshëm i modelit. Në vend që të organizohen zgjedhje me një kandidat të vetëm, është zgjedhur të mos organizohen fare zgjedhje të brendshme për kryetarin. Dhe kjo nuk është një mungesë procesi, por një zgjedhje e vetëdijshme teorike.

Argumenti është ndërtuar mbi një analizë historike. Në sistemet ku janë zhvilluar zgjedhje të brendshme formale, si në rastin e Enver Hoxhës apo në raste të tjera bashkëkohore si ai i Kim Jong-un-it, është vënë re se ekzistenca e zgjedhjeve ka sjellë si rrjedhojë regjime diktatoriale. Nga kjo del një përfundim i rëndësishëm: mungesa e zgjedhjeve të brendshme është garanci kundër diktaturës. Dhe këtu ndërtohet hapi i dytë logjik: nëse zgjedhjet e brendshme sjellin diktaturën, ato duhen shmangur medoemos.

Në këtë mënyrë, eliminohet mundësia që procesi zgjedhor të përdoret si mjet formal për të justifikuar përqendrimin e pushtetit. Kemi kështu një model ku mungesa e zgjedhjeve paraqitet si një masë parandaluese kundër diktaturës. Ky është një kontribut i rëndësishëm teorik, i cili kërkon vëmendje të mëtejshme nga komuniteti akademik.

Duke vijuar analizën, kalojmë në një kategori tjetër që mund ta quajmë “kryetarë pa parti, por me vazhdimësi të plotë në detyrë”. Këta qëndrojnë pafundësisht në detyrë sepse nuk ka se kush t’i shkarkojë. Partitë nuk kanë anëtarë dhe votues dhe votat i marrin dhuratë herë nga Partia Demokratike dhe herë nga Partia Socialiste. Këtu përfshihen Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë, dhe Vangjel Dule, kryetar i Partisë për të Drejtat e Njeriut. Në mungesë të kërkesës për zgjedhje, nuk ka arsye për t’i organizuar ato. Dhe në mungesë të zgjedhjeve, nuk ka mekanizëm rreziku për karriken. Kështu krijohet një stabilitet i qëndrueshëm në kohë.

Në këtë pikë, është e rëndësishme të përfshijmë edhe atë që mund ta quajmë “aleanca e Shqipërisë madhështore”, ku bëjnë pjesë figura si Kujtim Gjuzi dhe Jenisheri. Këta aktorë përfaqësojnë një dimension tjetër të spektrit politik, ku partia është një platformë që përfshin një gamë të gjerë qëndrimesh, shpeshherë edhe të kundërta mes tyre. Në këtë kuptim, kemi një fleksibilitet të lartë ideologjik, i cili lejon bashkëjetesën e pozicioneve që në teori do të duhej të ishin të papajtueshme. Ky është një zhvillim që zgjeron kufijtë e asaj që konsiderohet e mundur në organizimin politik. Edhe këtu përfshihen si anëtarë pjesëtarët e familjes apo ndonjë shakaxhi që do të zhvillojë ndonjë kamera të fshehtë.

Më tej, kalojmë në një fazë tjetër të evolucionit të partive politike në Shqipëri, që lidhet me konceptin e partisë si pronë private. Në këtë kategori përfshihen Partia Socialdemokrate e Shqipërisë e drejtuar nga Tom Doshi, Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj dhe Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Agron Duka. Në këto raste, kemi një përputhje të plotë midis drejtuesit dhe strukturës organizative. Partia krijohet, financohet dhe drejtohet nga një individ i vetëm. Vendimmarrja është e centralizuar dhe proceset janë të thjeshta. Buxheti i partisë është një pjesë e buxhetit të individit që është vetëcaktuar kryetar.

Në Shqipëri nuk ekziston bursa nga Banka e Shqipërisë, por ekziston Bursa e Partive Politike. Një njeri që ka para mund të blejë një parti ose të bëhet aksioner në të. Kjo tregon se partitë nuk janë vetëm struktura politike, por edhe entitete që mund të kalojnë nga një pronar tek një tjetër. Kjo krijon një dimension të ri në analizën e sistemit politik, ku partitë mund të trajtohen edhe si një lloj aktivi.

Duke marrë parasysh të gjitha këto elemente, mund të themi se kemi një sistem që funksionon mbi disa parime të qarta, edhe pse jo gjithmonë të përputhshme me teorinë klasike. Zgjedhjet mund të zhvillohen me një kandidat, mund të mos zhvillohen fare, ose mund të mos kërkohen fare. Kryetarët thjesht qëndrojnë kryetarë.

Partitë që mbeten në skenë nuk ia vlen t’i zëmë në gojë, se dy të mëdhenjtë kanë marrë masa që t’i zhdukin nga faqja e dheut. Dhe këtë do ta bëjnë në mënyra demokratike, duke ulur numrin e deputetëve në Parlament dhe duke rritur pragun që një parti e re të jetojë.

Në përfundim, ajo që kemi përpara nuk është mungesë demokracie në kuptimin formal, por një riformulim i saj në kushte konkrete. Është një sistem që ka arritur të eliminojë pasiguritë e panevojshme dhe të prodhojë rezultate të qëndrueshme. Për studiuesit, kjo është një fushë e hapur kërkimi. Për praktikën politike, kjo është mënyra se si gjërat funksionojnë. Dhe për ne sot, është një material i pasur për diskutim shkencor. Ju faleminderit.

Salla shpërtheu në duartrokitje. Pjesëmarrësit dukeshin të çliruar, si pas një frike të madhe që kishin kaluar. Pjesëmarrësit dukeshin të çliruar, si pas një sqarimi të madh që kishte hequr çdo dyshim të mbetur. Në fytyrat e tyre lexohej qartë se demokracinë shqiptare nuk e kërcënonte asnjë rrezik.  Evrope, na prit!