“Fitore, fitore, Islam!”, bërtiti Pepini, kur nisi të shquajë bregun atje tej. Po i ikte izolimit, diktaturës…! Edhe sot, kjo thirrje gëzimi dhe çlirimi duket më se e natyrshme, por për këtë, përpara viteve ’90, “shpërblimi” ishte vetëm plumbi. Në filmin “Dueli i heshtur” roli i Pepinit, një prej atyre që kërkonte të arratisej interpretohet nga aktori e regjisori Bujar Kapexhiu. Pa dyshim që ai është personazhi më simpatik i filmit dhe shprehjet e tij sot rreshtohen në “listën” e batutave, që vijojnë të përdoren në përditshmëri. Kapexhiu ishte i ri asokohe dhe me kureshtinë e një të riu, nuk mjaftohej vetëm me skenarin apo variantin zyrtar të ngjarjes ku mbështetej filmi. Sot kujton zërat që qarkullonin për vërtetësinë e ngjarjes, si dhe takimin me heroin, oficer Spiro Koten…!
Z. Bujar, filmi “Duel i heshtur” është mbështetur në një ngjarje reale, pavarësisht përpunimit artistik. Ju, çfarë dinit për të në kohën kur xhirohej filmi? Sigurisht që e dinim se mbështetej mbi një ngjarje të vërtetë. Dinim variantin zyrtar, atë se si u tentua arratisja përmes detit, vrasjen dhe kthimin e motovedetës në port. Dyshonit atëherë se kjo ngjarje mund të mos ishte e vërtetë?
Ishte një ngjarje e dyshimtë. Që atëherë kishte zëra, të cilët nuk e pranonin variantin zyrtar dhe të bënin të mendoje se kishte diçka që nuk shkonte. Kemi dëgjuar se kur anija u kthye nuk hyri në port, por nga “Ura e Dajlanit”, që do të thotë se ai që e drejtonte nuk ishte profesionist. Thonë se kur motovedeta është kthyer, janë dëgjuar krisma. Madje, edhe se njëri prej tyre nuk kishte vdekur, por ishte i plagosur.
Për ndërtimin e skenarit është biseduar me vetë “heroin”, Spiro Koten. Patët mundësi ta takonit?
Po, e kam takuar dhe ai na e bënte edhe më të dyshimtë ngjarjen. Na dukej një njeri i çuditshëm. Nuk thoshte asnjë gjë. Ne e pyesnim se si kishte ndodhur ngjarja, si kishte arritur t’i vriste marinarët dhe kapterin, por ai nuk tregonte një histori nga fillimi deri në fund.
E vetmja gjë që thoshte ishte: “Gërr të parin, gërr të dytin, gërr të tretin”. Në kohën kur ne e takuam ai ishte oficer, imagjinoni kur ka ndodhur ngjarja ai ishte edhe më i ri, më i papjekur… Si mund të ketë arritur t’i vriste ata njerëz?!
Cili mendoni se mund të ketë qenë varianti më pranë së vërtetës?
Ka pasur gjithnjë fjalë për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, por ajo mbeti një histori shumë e fshehtë. Thuhet se marinarët u vranë mes tyre për çështje pazari dhe me gjasë Spiros i mbeti motovedeta “në dorë” dhe kur mbërriti në port, Spiron në fillim e futën në burg.
Pastaj e bënë “Hero”…?!
Po, po, e shpallën “Hero”. Propaganda e kohës kështu e kërkonte. Kështu ka ndodhur me shumë njerëz të thjeshtë, që janë radhitur në radhët e heronjve. Kur i duhej partisë nxirrte një hero, një mësues, një ushtar etj…! Por, në rastin konkret, në film, historia i është nënshtruar procesit krijues, fillimisht nga skenaristi Nasho Jorgaqi e, pastaj nga regjisori Dhimitër Anagnosti.
Sot, ndiheni “mirë” që luanit një rol “negativ”?
E dini, rolet negative pëlqeheshin shumë në atë kohë, sepse ata kishin lirinë të thoshin gjëra që edhe të tjerë i mendonin, por nuk kishin mundësi t’i shprehnin. Kështu që personazhet negativë ishin më simpatikë edhe se heronjtë, që në shumicën e herëve ishin skematikë.
Si lindi “Duel i heshtur”, në anijen e drejtuar nga Spiro Kote
“Dueli i heshtur”, filmi, ashtu si edhe vetë ngjarja në të cilën ai u mbështet, lindi në det. Nuk ishte më një motovedetë, por një anije që drejtohej nga oficeri Spiro Kote. Pikërisht ai, “Heroi i Popullit”, që vrau një kapter e dy marinarë që kërkonin të arratiseshin me një motovedetë, të vetmet mjete që marina shqiptare kishte trashëguar nga e shkuara. Ishte koha e qarkullimit të shkrimtarëve nëpër fronte pune, pranë klasës punëtore…
Ndërsa Luan Qafëzezin e caktuan pranë aviacionit shqiptar, shkrimtarin Nasho Jorgaqi, që asokohe ishte bërë i famshëm me romanin “Dashuria e Mimozës”, e caktuan pranë Marinës Luftarake Detare. Për tri vite me radhë, shkrimtari do të rrinte mes marinarësh, në anije, nga Durrësi, në Vlorë, Orikum e Sazan, i caktuar të shkruante për marinën. Dhe, në të vërtetë, historinë e gjeti në atë anije.
Ngjarja kishte ndodhur në vitin 1947 dhe kishte bërë jo pak bujë për kohën. Spiro Kote ishte shpallur “Hero i Popullit”, i pari hero i pasluftës, i dekoruar nga vetë Mehmet Shehu. Mark Ndoja do t’i kushtonte një poemë, ndërsa gazetat do t’i kushtonin shkrime e intervista. Edhe pas 20 vitesh, ngjarja vazhdonte të kishte jehonë.
Dhe nga një histori “porti” iu nënshtrua një procesi krijues, duke u ngritur në një nivel artistik, skenë pas skene, nga skenaristi Jorgaqi dhe regjisori Dhimitër Anagnosti, që më- sohet të ketë bërë “garë” me kolegët e tij Kristaq Dhamo e Viktor Gjika, që të mund të punonte mbi të. Siç thonë realizuesit e filmit, por edhe vetë aktorët, Spiro Kote nuk kishte profilin që iu dha në film, mishëruar nga aktori Rikard Ljarja.
Ai përshkruhet si një njeri që nuk fliste shumë, një njeri i thjeshtë që nuk shfaqte ndonjë nivel të lartë inteligjence, që në kohën kur ndodhi ngjarja kishte qenë thjesht një marinar roje, por që më vonë studioi në Moskë, në shkollën e Marinës…! Filmi, i cili doli në vitin 1967, me një kast të zgjedhur aktorësh si Ndrek Luca, Reshat Arbana, Rikard Ljarja e Bujar Kapexhiu, e bëri edhe më të famshëm Spiro Koten, ndërsa sa i takon vërtetësisë së ngjarjeve, atë ai e ka marrë me vete./Memorie.al
Komente










Me falni por kto artistet e viteve te monizmit bene nje jete te bukur nuk I mungonte asgje,tani ne demokraci na kan dale te gjithe te persekutum,edhe ngjarjet e filmave qe i kan bere po regjizoret tani duan edhe ti shtremberojne, nuk LAN gje pa shpif vetem qe te duken pak.
Përgjigjushum e vertet qef kan ber.te gjith i shikonin me zili nuk them gje tjeter i ke percaktuar me se miri hanin me luge floriri thot populli
O Bujar! Regjizoret e filmave ne ate kohe edhe rolet ti jepnin negative, ashtu sic ishe dhe je ne jeten e perditeshme.Mosmirenjohes , hipokrit.
PërgjigjuKur ngelet në dorë të një aktkri,shkruesi të humorit të shkruaj ms ërtetëzi historin e F.L.D.dhe gjitbçka tjetëre.Vëndd të ndryshme në këtë botë nuk e kanë dhe ngrzjnë nga hiçi ne.e shpërbëj.ë.Turp për Fë që ka gënbyer si atëherë dhe tashmë.
PërgjigjuO Z.Bujar, ngjarja eshte 100 % e vërtetë, sigurisht në film ka zbukurime. Nuk të jepej titulli Hero me dyshime në atë kohe. Të jemi realist dhe të themi të vërtetën edhe athere kur nuk na pëlqen.
PërgjigjuSi nuk lane nje gje pa shajt.Flet Bujar Kapexhiu qe hodhi kandidaturen per deputet jashte PD por u terhoq menjehere sapo Berisha i tha qe ke qene spiun i sigurimit.
Përgjigju