TIRANE- Zgjedhjet për pushtetin vendor kanë sjellë jo pak surpriza këtë vit. Veç diferencës së bashkive të fituara nga PS dhe PD, surprizë janë dhe thyerjet e bastioneve të së majtës dhe së djathtës. Pas kalimit të Pogradecit në favor të PD-së apo dhe Selenicës te e djathta, dje në mesnatë dhe Dibra tregoi se ndryshon krahun politik. Shukri Xhelili ka mundur të fitojë kryetarin e Bashkisë në këtë bashki ndaj kandidatit të PD-së Ilir Krosi. Gara në Dibër ka qenë e fortë deri në kutitë e fundit.

Ku shpesh kandidatët ndryshonin kryesimin e renditjes. Megjithatë për këtë bashki kanë kandiduar dhe 3 kandidatë të tjerë, të cilët kanë mundur të marrin rreth 1500 vota së bashku. Por pa mundur të bëjnë një dallim se nga cili kamp kanë marrë vota, apo te kush do të mund të krijonin diferencën. Megjithatë Dibra njihet si një bastion i fortë i së majtës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 e majta arriti të marrë rreth 1 mijë vota para së djathtës.

Por në këto votime ndikim pati dhe dalja e Frymës së Re Demokratike me kandidatin e saj, që mundi ti shkëpusë së djathtës rreth 2 mijë vota, gjë që solli dhe një ndryshim të rezultatit pëfundimtar në ndarjen e numrit të deputetëve. Në votimet e 21 qershorit, Ilir Krosi nuk arriti të sigurojë mandatin e katërt në krye të Bashkisë së Dibrës. Pavarësisht se u pa si një kandidat i fortë, Krosi humbi me pak vota ndaj emrit të propozuar prej koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane, duke ia bashkëngjitur Dibrën në rendin e bashkive që votuan të majtën.

Ndërkohë garë e fortë është zhvilluar dhe në Bashkinë e Krujës. Ku ish deputeti i PS-së Artur Bushi përgjatë numërimit të fletëve të votimit ka ruajtur kryesimin ndaj kandidatit të PD-së Hamdi Pasha. Megjithatë pavarësisht se kanë qenë pak kuti votimi, numërimi në Krujë ka ecur me ritme më të ngadalta.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)