TIA: Apel KQZ-së për hetimin
e financave të partive politike

TIA: Apel KQZ-së për hetimin<br />e financave të partive politike
TIRANË - Pak ditë para zgjedhjeve Transparency International Albania, publikon raportin "Pushteti dhe partitë në Shqipëri nën ndikimin e parasë", ku sipas këtij raporti financat e partive vazhdojnë të mbeten një gropë e zezë për institucionet që i monitorojnë.

Pasi ka analizuar raportet vjetore financiare të partive të dorëzuara në KQZ për vitin 2011, TIA vëren se vetëm 5 subjekte e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor.

PD kishte raportuar vetëm për paratë e mbledhura dhe shpenzuara gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve vendore të 2011-s, ndërsa PS, PBDNJ, PR dhe LSI për tërë 12 mujorin e kaluar. Kjo organizatë i bën apel KQZ që të detyrojë partitë të zbatojnë ligjin.

"Përmes këtij raporti, TIA i bën apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen e financimit të partive, të garantojë raportime të sakta e të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike duke ndërmarrë hetime proaktive për të verifikuar llogaritë e tyre financiare. KQZ duhet të demonstrojë pavarësinë e duhur institucionale për ndëshkimin me çdo kusht të financimit të paligjshëm të partive dhe zbatimin efektiv në praktikë të dispozitave ligjore në fuqi e detyrimeve që lindin nga Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit", tha Inesa Hila, përfaqësuese e TIA. Sipas saj, sanksionet, konstaton Transparency, nuk parashikojnë të shkojnë përtej gjobave, dhe janë të pamjaftueshme për t'iu përgjigjur shkeljes së ligjit.

"Megjithë parashikimet kushtetuese e ligjore, partitë politike në Shqipëri nuk informojnë anëtarët e partisë, votuesit dhe publikun e gjerë mbi financat vjetore ç`ka konsiderohet si treguesi kryesor i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së transparencës. Në këto kushte të shkeljes së vazhdueshme të ligjit e Kushtetutës, rekomandojmë shtimin e një dispozite të veçantë në Ligjin "Për Partitë Politike" për të rregulluar çështjen e publikimit të të ardhurave e shpenzimeve nga vetë partitë politike dhe parashikimin e masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të ligjit", tha Hila.

SI U BE VLERESIMI
Indeksi CRINIS analizon kuadrin ligjor dhe zbatimin në praktikë të financimeve vjetore të partive politike në Shqipëri, duke marrë në vlerësim 10 dimensione të çështjes:

kontabilitetin e brendshëm; raportimin e partive tek autoritetet mbikqyrëse; kuptueshmërinë, intensitetin dhe besueshmërinë e raportimit; aksesin publik ndaj informacionit (publikimi); masat parandaluese, sanksionet e mbikqyrjen shtetërore, si dhe aktivitetet monitoruese nga shoqëria civile.

Në një sistem të përshkallëzuar vlerësimi nga 0 në 10 { pamjaftueshëm (0 deri në 3.3), mesatar (3.4 deri në 6.7) dhe mirë (6.8 deri në 10)}, indeksi CRINIS për Shqipërinë është në nivelin mesatar me 5.9 pikë duke reflektuar një kuadër të mirë ligjor por zbatim të dobët në praktikë.
 
Indikatorët e vlerësuar me pikët më të ulëta janë sanksionet dhe masat parandaluese. Sanksionet e parashikuara në ligj nuk parashikojnë penalitete përtej gjobave financiare dhe nuk janë të mjaftueshme për t` iu përgjigjur shkeljes së ligjeve.

Masat parandaluese të analizuara përfshijnë ekzistencën e një llogarie të vetme bankare apo ndalesa mbi depozitat në para cash, nxitjet fiskale për publikimin e dhurimeve nga kompanitë private apo kohës televizive transmetuar nga mediat, mekanizma vetërregullues (kod etike i partive politike) për abuzimet me burimet qeveritare.

Ndër to, ligji aktual “Për Partitë Politike” parashikon vetëm ndalesën e dhurimeve me para cash me vlerë më të madhe se 100,000 Lekë dhe kryerjen e tyre përmes një llogarie të posacme bankare duke krijuar kështu mundësinë e një kontrolli joefektiv për fondet e dhuruara nën 100,000 Lekë. 
 
APEL KQZ-SË PËR RAPORTIME TË PLOTA PËR SHPENZIMET E PARTIVE
Përmes këtij raporti, TIA i bën apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen e financimit të partive, të garantojë raportime të sakta e të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike duke ndërmarrë hetime proaktive për të verifikuar llogaritë e tyre financiare.

KQZ duhet të demonstrojë pavarësinë e duhur institucionale për ndëshkimin me cdo kusht të financimit të paligjshëm të partive dhe zbatimin efektiv në praktikë të dispozitave ligjore në fuqi e detyrimeve që lindin nga Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit.
 
Megjithë parashikimet kushtetuese e ligjore, partitë politike në Shqipëri nuk informojnë anëtarët e partisë, votuesit dhe publikun e gjerë mbi financat vjetore cka konsiderohet si treguesi kryesor i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së transparencës.

Në këto kushte të shkeljes së vazhdueshme të ligjit e Kushtetutës, rekomandojmë shtimin e një dispozite të vecantë në Ligjin “Për Partitë Politike” për të rregulluar çështjen e publikimit të të ardhurave e shpenzimeve nga vetë partitë politike dhe parashikimin e masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të ligjit.

PARREGULLSITË FINANCIARE TË 2012
 
Nga analiza e raporteve financiare vjetore të dorëzuara në KQZ në vitin 2012 janë vënë re një sërë parregullsish:
 
Viti 2011, si vit elektoral, i kushtëzonte partitë politike të hartonin një raport të përbashkët mbi financat e periudhës vjetore dhe financat e fushatës elektorale. KQZ ka publikuar raportet e pesë partive parlamentare, ndër të cilat një prej tyre ka raportuar vetëm mbi periudhën e fushatës elektorale dhe katër prej tyre për periudhën vjetore. 

Raportet e audituesve të pavarur të caktuar nga KQZ u përgatitën vetëm për financat e fushatës elektorale ndërkohë që sipas ligjit, këto raporte duhet të përfshinin raportimin financiar për vitin 2011 dhe fushatën zgjedhore njëkohësisht. Në këto kushte, rekomandojmë përfshirjen e dispozitave të qarta ligjore lidhur me ndarjen e formatit të raportimit të financave vjetore nga financat e fushatës elektorale në rastet kur kemi të bëjmë me vit elektoral.

Megjithëse ekzistojnë dispozita të mirë ligjore për kontabilitetin e brendshëm dhe formatin e raportimit, procedurat e ndjekura kontabël nuk reflektojnë rigorozisht aplikimin e Standarteve Ndërkombëtare e Kombëtare të Kontabilitetit.

Raportimi nuk është lehtësisht i kuptueshëm nga publiku dhe nuk paraqet shpjegime të detajuara mbi shpenzimet e kryera apo fondet e përfituara, dhurimet në natyrë, sponsorizimet e kreditë. Partitë kanë raportuar sipas formateve të ndryshme dhe nuk kanë ndjekur të njëjtin afat kohor për raportimin.

Bazuar në sondazhet e realizuara me qytetarë dhe ekspertë të fushës, besueshmëria e informacionit financiar zyrtar të deklaruar nga partitë politike në vend nuk shënon një rezultat të pëlqyeshëm. Raportimi konsiderohet si i besueshëm për fondet publike, por qytetarët kanë një perceptim të përgjithshëm se një pjesë e madhe e donacioneve private lihen jashtë raportimit financiar. 

Si rezultat i rritjes së sofistikimit dhe kostove të aktiviteteve të partive politike, këto të fundit janë lehtësisht të ndikueshme nga ofertat për financim në këmbim të favoreve në të ardhmen. Kjo blerje e influencës dhe pushtetit përmes dhurimeve politike minon parimet bazë të një demokracie përfaqësuese. Besimi publik në demokraci ulet kur liderët e zgjedhur dështojnë në zbatimin e ligjeve që kanë hartuar dhe respektimin e institucioneve mbikqyrëse që kanë ndërtuar.

PARTITË TË JENË TRANSPARENTE DHE TË PËRGJEGJSHME

Në këtë kontekst, Transparency International Albania u bën thirrje partive politike në Shqipëri të jenë transparente dhe të përgjegjshme ndaj publikut përmes publikimit të detajuar të platformave të tyre politike, CV-ve e donacioneve të kandidatëve për deputetë, donatorëve dhe financimeve të siguruara si gjatë fushatave elektorale, edhe gjatë aktivitetit vjetor.

Sfida qëndron në kufizimin e shanseve për korrupsion, përmes promovimit të barazisë politike dhe rritjes së niveleve të transparencës, duke u garantuar qytetarëve mundësinë e bërjes së zgjedhjeve të informuara në Ditën e Zgjedhjeve.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit