TIRANË - Ngrihet Task Forca për kontrollin e tregut të gjësë së gjallë në prefekturën e Tiranës. Detyra kryesore e kësaj Task Force do të jetë kontrolli dhe monitorimi i therjeve, transportimi dhe tregtimi i mishit në qarkun e Tiranës.

Nën drejtimin e prefektit të qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, u hartua plani i masave për përmbushjen e dispozitave të Aktit Normativ të Qeverisë si dhe u caktuan grupet e përbashkëta të punës, të cilat do të fillojnë kontrollin në zonat kryesore të kryeqytetit dhe më gjerë.

“Në Bashkitë Tiranë dhe Kamëz si dhe në komunën Paskuqan, situata paraqitet kaotike. Kjo për shkak se Bashkia Tiranë nuk ka një thertore apo në Kamëz mungon një strukturë veterinare. Ne vërejmë punën e dobët të institucioneve vendore përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për këtë situatë. Grupi task-forcë që është krijuar, do të jetë aktiv në ushtrimin e kontrolleve deri në përmirësimin e situatës dhe krijimin e kushteve optimale nga të gjithë subjektet tregtare”,– u shpreh prefekti Vorpsi.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)



Grupi Task-Forcë i kryesuar nga Prefekti i Qarkut Tiranë përbëhet nga 6 përfaqësues të institucioneve vendore.