Tiranë, shpallet sot projekti
fitues për bulevardin

TIRANE-  Bashkia e Tiranës shpallë sot projektin fitues në konkursin për planin e Bulevardit. Konkursi u hap dje dhe morën pjesë 7 studio ndërkombëtare. Ata prezantuan maketet e projekteve për rehabilitimin e lumit të Tiranës dhe zgjatimin e bulevardit, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha.

Në hapje të këtij konkursi, kryebashkiaku Lulzim Basha, njëherësh dhe kryetar i jurisë për përzgjedhjen e masterplanit fitues, evidentoi vlerat e përfaqësuesve të firmave si dhe të vetë jurisë që do të përzgjedhë fituesin, me një vendim që do të shpallet nesër në mesditë.

Sipas Kryetarit të Bashkisë, zgjatimi i Bulevardit të Tiranës është një projekt i rëndësishëm për kryeqytetin, pasi do e kthejë qytetin me një karakter poliekonomik.

Basha tha se “përmes këtij projekti Tirana jo vetëm që do të transformohet nga ndryshimet pozitive, por nga ana tjetër, do të jenë pikërisht banorët e kryeqytetit, ato të cilët do të përfitojnë prej tij, pasi projekti do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të qytetit, punësimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”.

Ndërsa Kryeministri Sali Berisha e cilësoi si një fillim të ri për kryeqytetin, konkursin për zgjatimin e Bulevardit, të organizuar nga Bashkia e Tiranës ndërsa i konsideroi projektet e 7 studiove pjesëmarrëse në këtë konkurs si projektet për Tiranën e shekullit të 21-të.
Ai siguroi se qeveria do të mbështesë fuqishëm bashkinë në projektet e saj ambicioze, por, shtoi Berisha, "Qeveria do të mbështeste pavarësisht ngjyrave partiake, çdo kryetar, për t'i dhënë Tiranës mundësinë për të zhvilluar të gjitha potencialet e saj, për t'i dhënë tregut të kryeqytetit, energjinë, dinamizmin që meriton".

Studiot arkitekturore si DAR Group Turkey & United Kingdom, West 8 - The Netherlands, Albert Speer & Partners - Germany, Cino Zucchi Architetti - Italy, Gerkan, Marg & Partners - Germany, Kees Christianse & Partners - The Netherlands, Grimshaw Architects - United Kingdom prezantuan dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth.

Shtatë studiot arkitekturore paraqitën edhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit si dhe për zhvillimin e Kodrave të Paskuqanit.
(sg/atsh/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion