Tiranë, tarifa e pastrimit
bashkë me faturat e ujit

Tiranë, tarifa e pastrimit<br />bashkë me faturat e ujit
TIRANE- Të gjithë konsumatorët që kanë marrë tashmë në shtëpitë e tyre faturat e ujit të pijshëm për muajin janar, kanë vërejtur edhe një zë shtesë, tarifën vjetore të pastrimit. Tashmë ajo do të paguhet bashkë me ujin e përpjesëtuar në 12 muaj. Tarifa e pastrimit varion sipas bashkive. Për Tiranën përshembull është 5 mijë lekë në vit për familjet, ndërsa vijon në varësi të aktivitetit për bizneset. E njëjta gjë ka ndodhur edhe bashkitë e tjera. Këshillat bashkiakë kanë vendosur në fund të vitit të shkuar që tarifën vjetore të pastrimit ta vjelin bashkë me ujin e pijshëm.

Në Elbasan tarifa e pastrimit (200 lekë në muaj) u ka shkuar qytetarëve bashkë me faturën e ujit të pijshëm, kurse në Lushnje familjet kanë marrë nga një lajmërim nga bashkia se “me vendim të Këshillit Bashkiak, datë 26.12.2011, taksa e pastrimit me vlerë 150 lekë në muaj do të paguhet bashkë me faturën e ujit të pijshëm”.

Vendimi për vjeljen e tarifës së pastrimit njëkohësisht me faturat e ujit është miratuar edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës gjatë shqyrtimit të buxhetit të këtij viti për Bashkinë e Tiranës. Çdo kryeqytetas ka marrë tashmë në shtëpinë e tij faturën e ujit, ku në fund shënon, Tarifa e Pastrimit: 420 lekë.

Direktiva u ka shkuar bashkive për të aplikuar një metodë të tillë nga ekzekutivi. Vendimi duket se ka ardhur pas performancës së keqe te pushtetit lokal në mbledhjen e taksave dhe tarifave. Tani ajo do të paguhet muaj për muaj, ndërsa më parë vilej në fillim të vitit. Krahas kësaj, duket se arsyeja kryesore e një vendimi të tillë ka qenë dalja nga qarkullimi e certifikatave.

Bashkitë kanë ndjekur një praktikë ndryshe deri më tani, ku nuk lejonte lëshimin e certifikatave për ata që nuk paguanin taksën e pastrimit. Por dalja nga qarkullimi masiv e tyre duke u zëvendësuar me kartat e identitetit e nxori jashtë lojë këtë formë. Tashmë pagesa e taksës nuk do të jetë më detyrim për të marrë certifikatë në minibashki edhe pse përdorimi i tyre është tepër i kufizuar.

E njëjta praktikë e vjeljes muaj për muaj ndiqet edhe me taksën e Televizionit Publik. Nga viti i kaluar, kjo taksë prej 1 200 lekë në vit vilet çdo muaj me nga 100 lekë bashkë më faturën e energjisë elektrike. Taksa e Televizionit Publik u dyfishua në fillim të vitit të shkuar duke kaluar nga 600 lekë në 1 200 lekë në vit. Taksa që vilet nga qytetarët përbën rreth 35 për qind të të ardhurave vjetore të Radiotelevizionit Publik.

ÇMIMI I UJIT U RRIT PËR 16 NDËRMARRJE
Enti Rregullator i Ujit ka miratuar kërkesa e shumë ujësjellësve në të gjithë vendin për rritjen e tarifave të ujit. Rritja tashmë është konfirmuar në disa bashki. Në javët e fundit të vitit 2011, shkuan plot 16 kërkesa pranë Entit Rregullator të Ujit nga ndërmarrjet e ujësjellësit për rritje çmimi.

Në Tiranë përshembull, çmimi pësoi një rritje mesatare me 36 për qind. Të gjitha faturat e janarit që kanë shkuar tashmë në shtëpitë e konsumatorëve janë përllogaritur me një çmim 45 lekë/metër kub kundrejt 33 lekë/metër kub që ishte deri në fund të vitit 2011. Entet buxhetore paguajnë 120 lekë/metër kub kundrejt 110 lekëve që paguanin.
(gazeta shekulli/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz