TIRANË - Njësia speciale e policisë së Kryeqytetit “Shqiponja” kanë arritur që të vënë në pranga një 25-vjeçar i cili rezultonte i shpallur në kërkim për vjedhje të një arme të rojeve të shërbimit privat. Floret Toçi fillimisht është ndaluar me mjetin e tij nga ana e kësaj patrulle dhe i është kërkuar patenta.
 
Duke mos e disponuar një dokument të tillë, i riu u ka ofruar efektivëve të policisë një shumë prej 5 mijë lekësh që ata ta linin të vijonte rrugën, pavarësisht se nuk ishte i pajisur me patentë.
 
Pasi patrulla e policisë ka refuzuar shumën, 25-vjeçari Toçi ka tentuar të largohet me vrap në mënyrë që t’i shpëtonte arrestimit. Por ‘arratisja’ e tij nuk ka zgjatur as disa metra, pasi është neutralizuar nga ana e shërbimit të njësisë së patrullës “Shqiponja” në kryeqytet.
 
Pas verifikimit të gjeneraliteteve të Floret Toçit, ka rezultuar se ai ishte i shpallur në kërkim për vjedhjen e armës së zjarrit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)