Tirana gjen fitoren përballë ekipit të Laçit pas 15 muajsh duke rikthyer besimin për mbijetesë në ligën superiore të futbollit shqiptar. Bardheblutë arritën që të shënonin dy herë duke siguruar një fitore me mjaft vlera duke parakaluar Vllazninë në renditjen e përgjithshme, të paktën deri sa shkodranët të zhvillojnë ndeshjen përballë kampionëve të Skënderbeut.

Ndeshja mes Tiranës dhe Laçit ka nisur mjaft e tensionuar në shkallët e stadiumit me ofendimet e dy palëve kundër njëri tjetrit. Shkak janë bërë thirrjet e tifozëve të Laçit pro ekipit të Partizanit duke nervozuar 24 herë kampionët. Megjithatë kjo duket se ndikoi në aspektin pozitiv për bardheblutë që kaluan në avantazh në minutën e 13 me Kahata-n.

Sulmuesi arriti që të realizonte me kokë në zonë pas një krosimi të bukur nga këndi. Goli rriti intensitetin e lojës dhe rastet nga të dy kampet. Laçi tentoi të shënonte me Vucajn, Brkic dhe Veliajn, por nuk arritën që të finalizonin me sukses duke e mbyllur pjesën e parë me fitoren e vendasve. Pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm, Tirana mbrohej mirë dhe kundërsulmonte me shpejtësi nga krahët për të shënuar golin e sigurisë, ndërsa Laçi u zhvendos i gjithi në sulm për gjithcka ose asgjë, pasi nuk kishte se cfarë të humbte.

3 miunta nga fundi  vjen edhe goli i sigurisë për 24 herë kampionët e vendit që shënojnë me sulmuesin Morina duke shuar shpresat e miqve, të cilët shpërdoruan shumë raste për gol me shkodranin Vucaj, që kishte mundësi të rihapte sfidën në pjesën e dytë. Kështu Laçi mori humbjen e dytë radhazi duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Evropë përmes vendit të dytë, pasi Partizani dhe Kukësi që luajnë neser kanë mundësi që ta parakalojnë, ndërsa Tirana për momentin merr frymë lirisht, akoma s’ka mbaruar asgjë.
 

d.b/shqiptarja.com