Tirana City Talks/ Veliaj: Lajm i mirë, biletimi elektronik! Po krijojmë një sistem të koordinuar për transportin publik

Tirana City Talks/ Veliaj: Lajm i mirë, biletimi elektronik! Po krijojmë një sistem të koordinuar për transportin publik

Erion Veliaj dhe të rinjtë

Lëvizshmëria dhe sfidat aktuale të qarkullimit në kryeqytet, por edhe perspektivat e mobilitetit alternativ, ishin fokusi i takimit të organizuar nga Bashkia e Tiranës, me pjesëmarrjen e arkitektëve dhe përfaqësuesve nga qeverisja lokale e qendrore. Në takim u diskutua mbi vizionet e së ardhmes dhe prioritetet në zhvillimin e lëvizshmërisë në qytet.

I pranishëm në këtë tryezë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vuri theksin në rolin rajonal të Tiranës, i cili sipas tij, synon të shtrihet më tej me eventet e shumta dhe sfidat që e presin kryeqytetin në vitin që vjen.

“Gjasat janë që Tirana të jetë gjithmonë e më shumë një kryeqytet rajonal. Këtë vit ishte “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, vitin tjetër do të jetë “Qyteti Europian i Sportit”. Do të vazhdojë të ketë një fokus të madh te turizmi, te hyrje-daljet në qytet, te numri i shtretërve që ofron qyteti, te restorantet, te sasia e trafikut që mund të mbajnë rrugët”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai e cilësoi trendin e rritjes demografike të Tiranës, si një sfidë me të cilën duhet të përshtatemi, por njëkohësisht një mundësi të jashtëzakonshme dhe si një garë e cila duhet të prodhojë energji kreative për qytetin.

Kreu i Bashkisë vuri theksin në faktin se lëvizshmëria në qytet dhe infrastruktura e mobilitetit duhet të përputhet me infrastrukturën moderne që ofron qyteti. Ai vlerësoi rëndësinë e teknologjisë në këto procese, duke konsideruar si një lajm të mirë risinë e biletimit elektronik, por nga ana tjetër shprehu ambicien për mundësimin e digjitalizimit të procedurave të tjera, siç është ajo e marrjes së Kartës së Studentit.

“Ne duhet t’ia kushtojmë pjesën tjetër të misionit tonë përmirësimit të infrastrukturës në nivelin mikro, në nivelin kapilar. Është shumë mirë që kemi shkollat e reja dhe një infrastrukturë moderne në qytet, por duhet që infrastruktura e lëvizshmërisë së qytetit, të përputhet me këtë infrastrukturë të re, që t’i kthejmë këto hapësira edhe në epiqendra të mobilitetit. Për shembull, stacionet e autobuzëve duhet të përputhen me ku janë shkollat. Këtë javë morëm disa lajme të mira si ai prezantimit të biletimit elektronik nga qeveria dhe drejtoria e transportit. Ajo që po bëjmë është të krijojmë një sistem të koordinuar për transportin urban dhe interurban, i cili jo vetëm që lehtëson ‘havalenë’ e marrjes së biletës dhe eleminimin e fatorinos, por na jep mundësinë të jemi jo vetëm autoritet që licencon operatorët e transportit, por edhe një autoritet që, në raste nevojash, subvencionon në mënyrë transparente biletat e transportit”, sqaroi Veliaj..

Ai nuk la pa përmendur edhe sfidën e madhe të ndërgjegjësimit të njerëzve, për sa i përket lëvizshmërisë në qytet dhe nevojës që qyteti ka sot, për t’u përshtatur me kërkesat e reja të kohës.

“Po dëgjoja një kandidat, i cili tha: ‘dola me makinë dhe ngeca në trafik’. Por, ti nuk ke ngecur në trafik sepse ti je trafiku. Përderisa ke dalë edhe ti me makinë, je kontribues në trafik, prandaj të ikën e drejta për t’u qarë, sepse si ti kanë dalë edhe 200 mijë të tjerë, që duan të shkojnë në punë, të çojnë fëmijët në shkolla. Kur edhe njerëzit që pretendojnë të bëjnë punën tonë, nuk e kanë nocionin bazë si funksionon mobiliteti në qytet, kemi përpara një sfidë të madhe për të shpjeguar si mund t’i qasemi kësaj situate”, përfundoi kryebashkiaku.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025