Me mbështetjen e telefonisë së parë shqiptare “Plus Communication”, festa e “1 Qershorit” ka qenë krejt e veçantë për fëmijët e shkollave 9 vjeçare të kryeqytetit në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e kompleksit “Dinamo”.
 
Për rreth 1 orë e 30 minuta të ndarë me kuadrate koreografike fëmijët kanë performuara në danc sportiv, numra muzikorë, si dhe sporte të ndryshme.
 
Në kuadër të partneritetit Ministria e Arsimit dhe "Plus Communication", e pranishme në aktivitet ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Nikolla uroi fëmijët për një festë të gëzueshme me ritmet e muzikës dhe sportit.

“Sot është një 1 qershor ndryshe do doja të thoja, shikoni sa shumë festë sa shumë gëzim, sa shumë përgatitje dhe sa shumë partnerë për ta bërë këtë 1 qershor plot aktivitete, plot sport, plot ngjyra. Unë do doja të përgëzoja të gjithë mësuesit e edukimit fizik, gjithë partnerët tanë të rëndësishëm që mundësuan një aktivitet me zero lekë shpenzime nga buxheti i shtetit në fakt, por në fakt me kaq shumë dashuri me kaq shumë larmi me kaq shumë festë.
 
Sot edhe në këtë ditë të 1 qershorit do doja nga zemra të uroja çdo familje shqiptare, në fakt çdo fëmijë, duke u angazhuar dhe duku u premtuar të gjithëve se në ditët e tjera do të punojmë shumë që çdo ditë e jetës së tyre të jetë sport, festë dhe ngjyra”, tha ministrja Nikolla.
 
Urimet për festën e "1 Qershorit" nuk kanë munguar dhe nga vetë fëmijët.
 
Në festën e fëmijëve nuk kanë munguar dhe prindërit e tyre të cilët të shumtë në numër kanë ndjekur fëmijët gjatë performancave ku nuk kanë munguar dhe veshjet me kostume popullore apo recitimi i vjershave nga të vegjlit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)