Takime me autorë, diskutime, promovime dhe përkthime do të jenë pjesë e festivalit letrar “Tirana Gate”, i cili është çelur zyrtarisht këtë të mërkurë të “Vila 31 Art Explora”.
“Një festival letrar mund të ishte më shumë se një varg takimesh me shkrimtarë dhe libra. Mund të ishte një portë. Një portë përmes së cilës Tirana të mund të takonte botën dhe bota të mund të dëgjonte zërat që vinin nga Tirana.”, tha Irena Toçi, drejtore e festivalit.
Autorë nga Shqipëria, Gjermania, Italia, Turqia, Greqia, Rumania, Spanja, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi janë pjesë e këtij edicioni, që do të vijojë deri më 9 tetor. Përkthyesit bëhen një tjetër hallkë e rëndësishme e këtij takimi, duke e kthyer shumëgjuhësinë në një mundësi komunikimi.
Në qendër është heshtja, jo si mungesë, por si zë i pashprehur. Historitë e lëna në margjina, kujtimet familjare dhe përvojat e atyre që nuk kanë pasur mundësi të flasin, kërkojnë hapësirë për t’u dëgjuar.
“Letërsia ka fuqinë t’i rikthejë këto zëra, jo duke folur në vend të tyre, por duke krijuar hapësirën ku ata mund të dëgjohen.”, vijoi Toçi.
Pikërisht të rinjtë janë në qendër të festivalit. Jo vetëm si lexues të së ardhmes, por si zëra që formësojnë të tashmen.
“Letërsia ka një fuqi të jashtëzakonshme. Ajo na lejon të udhëtojmë pa lëvizur dhe gjithashtu të jetojmë për pak në jetën e dikujt tjetër. Por libri është vetëm fillimi. Takimi me autorët, bisedat, debatet, qoftë edhe mosmarrëveshjet, janë ato që e mbajnë letërsinë të gjallë.”, tha Anja Levanaj, drejtore artistike e festivalit.
Festivale të tilla janë njëkohësisht hapësira reflektimi dhe përballjeje mes autorit dhe lexuesit.
“Letërsia nuk është krijuar për të dhënë përgjigje të gatshme, por për të shtruar pyetje. Tirana Gate kërkon të bëjë pikërisht këtë: të hapë portat e reflektimit përmes paneleve të diskutimit dhe pranisë së shkrimtarëve përballë lexuesve.”, tha Arta Marku, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Tirana Gate 2026” e sheh letërsinë si një hapësirë ku kufijtë sfidohen, narrativat rishikohen dhe zërat e harruar rikthehen në vëmendje.
Aktivitei i parë i festivalit është mbajtur mbasditen e së martës, si pjesë e “Tirana Gate +”, një hapësirë kushtuar promovimit dhe prezantimit të disa botimeve të reja në shqip. në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare, ku u prezantua libri “Teo nga 16 në 18”. E pranishme ishte edhe vet autorja rumune Raluca Nagy.












Komente
Komento