Tirana zhvillon sot në orën 15:00 në stadiumin ‘Qemal Stafa’ finalen e radhës përballë ekipit të Laçit, e vlefshme për javën e 26-të të Kategorisë Superiore. Dy ekipet ndodhen në pozicione të kundërta, ashtu sikur edhe historia e tyre në futbollin shqiptar. Laçi aktualisht ndodhet në vendin e 3 në renditje, por me pikë të barabarta me ekipin e Partizanit dhe Kukësit 40. Në rast të një rezultati negativ përballë 24 herë kampionëve të vendit, Laçi do të rrezikonte Evropën.

Të besuarit e Stavri Nicës mund të përfitojnë edhe nga transfertat e vështira të Kukësit dhe Partizanit, por së pari duhet të mendojnë për Tiranën, e cila ndodhet në vendin e 9 me 28 pikë të grumbulluara.

Dy ekipet vijnë në këtë sfidë pas rezultateve të ndryshe, e ndërsa Tirana nuk shkoi më shumë se një barazim me Partizanin në derbi, Laçi humbi brenda me Vllazninë. Një tjetër humbje do të ishte e pafalshme për objektivat e bardhezinjve shprehet fantazisti, Erjon Vucaj në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com. “Ndeshja me Tiranën është e vështirë, kundërshtari ka nevojë për pikë, ashtu ikur edhe ne. Pas humbjes me Vllazninë nuk na lejohet një tjetër hap fals, prandaj do të kërkojmë të marrim pikët e plota. Kemi zhvilluar një edicion pozitiv, shpresoj që të mbyllet me një kualifikim në Kupat e Evropës, ç’ka është edhe synimi ynë” tha ai.
“Big”-ët nesër 
Nesër do të zhvillohen 4 ndeshjet e mbetura të javës, ku spikasin sfidat në Shkodër dhe në Vlorë. Vllaznia e motivuar pas fitores me Laçin pas ardhjes së teknikut të ri, pret kampionët e Skënderbeut, të cilët e kanë paralajmëruar se nuk do të tolerojnë aspak kuqeblutë.

Megjithatë në Shkodër besojnë se Skënderbeu mund të mposhtet. Flamurtari pret Partizanin, barazimi bën shumë pak punë në një sfidë të tillë ku në mes janë Evropa dhe mbijetesa. Dy ekipet vijnë pas barazimeve në Kupë Flamurtari dhe kampionat, Partizani. Sfidë delikate është edhe ajo mes Besës dhe Kukësit në Kavajë.

Verdhezinjtë i kanë hapur punë gjithmonë Kukësit këtë edicion. Mërgjyshi deklaron se akoma nuk kanë siguruar mbijetesën dhe do të luajnë për fitore. Ndeshja e fundit do të luhet në Durrës mes Teutës dhe Kastriotit. E ndërsa Teuta, edhe pse zyrtarisht ka hequr dorë nga vendi i dytë, pasi Evropën po e kërkon përmes Kupës, Kastrioti shpreson ende te mbijetesa.


d.b/shqiptarja.com