Tirana merr fitoren e parë në Superiore, zhyt në krizë Luftëtarin

Tirana merr fitoren e parë në Superiore, zhyt në krizë Luftëtarin

Lojtarët e Tiranës duke festuar një nga golat ndaj Luftëtarit

Tirana ka arritur më në fund të fitojë ndeshjen e parë të kampionatit, pas një barazimi dhe dy humbjesh, duke mundur këtë të dielë Luftëtarin 3-1, në një ndeshje të bukur si rrallë herë mund të shihet në kampionatin shqiptar. Ze Maria kishte deklaruar që në fillim të sezonit që skuadra e tij do të shihej pas tri ndeshjeve të para dhe në fakt kështu ndodhi, pasi bardheblutë prodhuan futboll të bukur, por gjithsesi kundër një skuadre në krizë, që vinte pas tri humbjesh radhazi në këtë fillim sezoni.

24-herë kampionët e nisën lojën me vrull, duke shënuar që në minutën e tretë golin e avantazhit fillestar, kur Daja gjeti në mënyrë të shkëlqyer Blazhevskin në qendër të zonës dhe maqedonasi dërgoi lehtësisht topin në rrjetë. Por pa kaluar çerek ore lojë, miqtë nga Gjirokastra arritën të barazonin, kur një goditje modeste me roveshiatë e Ymerajt u devijua nga Doka dhe përfundoi në portë, me Likën të kapur ne bëfasi.

Tirana nuk u dorëzua dhe vazhdoi të ushtronte presion duke gjetur përsëri avantazhin në minutën e 24-t kur Turtulli gjeti veten të pamarkuar në zonë dhe nga fare pranë portës devijoi topin në kuadrat. Pjesa e parë ishte e gjitha nën dominimin e Tiranës, por që nuk mundi të realizonte golin e tretë që do të mbyllte ndeshjen.

Pjesa e dytë rifillon po ashtu si e para për bardheblutë, por pas dhjetë minutash skuadra e Ze Marias mbetet me dhjetë vetë kur Hoxhallari mori kartonin e dytë të verdhë dhe u largua para kohe nga ndeshja. Luftëtari provon të përfitojë nga superioriteti numerik, por pavarësisht presionit në rritje nuk arrin të finalizojë aksionet me gol. Madje rrezikon të pësojë golin e tretë. Në të 65’, Blazhevski humbet një mundësi fantastike për të shënuar, kur pas një kundërsulmi të shpejtë të Kobinah, doli i vetëm përballë Ruçit, por goditi në mënyrën më të shëmtuar të mundshme duke e çuar topin jashtë.

Në minutën e 70 Jancic la Luftëtarin me dhjetë vetë, pas një ndërhyrje nga mbrapa ndaj Blazhevskit, duke rikthyer ekuilibrin për sa i përket lojtarëve në fushë për të dy skuadrat.

Në minutat e mbetura Tirana u tërhoq disi në mbrojtje, duke lejuar Luftëtarin që të zbriste disa herë pranë portës së Likës, por gjirokastritët nuk mundën të shënonin golin që do t’i jepte pikën e parë për këtë sezon dhe mbeten kështu në fund të renditjes. Por në minutën e fundit zëvendësuesi Bedri Greca shënoi edhe golin e tretë për bardheblutë, kur u nxor me portën e boshatisur nga Ngo dhe e devijoi në rrjetë.

Fitorja e parë e ngjit Tiranën një vend më lart në renditje, në kuotën e katër pikëve, por më tepër do t’i shërbejë skuadrës për të shkuar me moral disi më të lartë të shtunën tjetër në Korçë ku e pret sifda e vështirë me Skënderbeun. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion