TIRANE - Trajneri i ekipit të Tiranës, Nevil Dede ka lëshuar alarmin për problemet me të cilat përballet ekipi në fillim të edicionit të ri futbollistik që pritet që të nisë në Gusht. Trajneri u ka bërë thirrje drejtuesve të ekipit bardheblu që të ndërhyjnë sa më shpejt në merkato për të sjellë elementë të rinj, pasi grupi nuk është i plotë, aq më tepër me largimet e fundit në drejtim të ekipit të Vlorës dhe Korcës duke e lënë Tiranën në pikën e hallit.

Dede kërkon ndërhyrje sa më të shpejtë në merkato për të afruar futbollistë në cdo repart për të plotësuar boshllëqet dhe rritur cilësinë për të konkurruar denjësisht në këtë edicion. Në vazhdim të deklaratës së tij, Dede deklaron se e ka menduar edhe largimin nga ekipi i Tiranës përmes dorëheqjes së ka synuar t’ju paraqesë drejtuesve, por duke menduar për të mirën e Tiranës për të mos e lënë në baltë në një koment të vështirë nuk e ka marrë një hap të tillë.

Në fund, Dede kërkon nga Bashkia që të zgjidhë sa më shpejt krizën për të frenuar edhe largimet e fundit cilësore që kanë mbetur në gjirin e ekipit. E ndërsa për Tiranën sapo kanë filluar problemet, Partizani po mendon të rikthehet në kohët e arta pas ngritjes në superligë dhe merkatos mjaft cilësore që ka zhvilluar me futbollistë nga Kosova, Maqedonia dhe nga kampionati vendas.

Aktualisht Partizani ndodhet në Greqi ku po zhvillon fazën përgatitore, drejtuesit e ekipit janë në kërkim të një sulmuesi pykë që do të kompletonte merkaton për këtë edicion. Në objektiv janë disa futbollistë, por akoma nuk është vendosur për emrin përfundimtarë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.07.2013
 
Rdaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)