‘Tirana në telajo’, e parë nga studioja e Hasan Nallbanit, rrëfimi i piktorit 88-vjeçar: Brengat e mia për Galerinë Kombëtare dhe dhunën ndaj trashëgimisë

Është 88-vjeç. Të pikturuarit është shndërruar për Hasan Nallbanin në ushqim për shpirtin, ndërsa peneli i bindet filozofisë e emocioneve të tij të brendshme...

“Unë pikturoj çdo ditë. Është edhe pak e lodhshme për shkak se duart e mia nuk janë si dikur që ndërtonin saktë, e megjithatë nuk e lë dot pasionin për punë sepse e konsideroj si një arsye që më jep arsye të jetoj”, shprehet piktori Hasan Nallbani

Kësaj here motivet i merr prej soditjes së asaj çka duket përtej dritares së studios së tij, tek studiot e piktorëve dhe skulptorëve pranë Komunës së Parisit... Një grumbull pemësh, që bëjnë rezistencë monumentale, një kafene a disa makina në lëvizje në rrugicën që sheh përtej xhamave, bashkë me emocionet e praruara të piktorit skalisin “Tiranën në telajo”... Janë 19 tablo që prej studios, piktori i ekspozon në Galerinë “Kalo” deri në 17 maj...

“Marrëdhënia me subjektin ka ardhur nga vështrimi që kam unë, për atë çfarë shoh nga dritarja, se si e shikoj unë Tiranën. Kam dashur që të vjelë ato marrëdhënie që janë më intime, më interesante nga dhuna që i është bërë Tiranës, siç e konsideroj unë një dhunë urbanistike. Tirana është mbushur me ndërtime, me pallate. E kam të vështirë të gjej marrëdhënien që kam pasur dikur me Dajtin, me kodrat që  i kam pasur përballë studios nuk janë më, domethënë Tirana ka ndryshuar kategorikisht”, thotë piktori.

Intime, mund të konsiderohet edhe hapësira ekspozuese që artisti zgjedh edhe kësaj here, sikundër  galeria “Fab”, qoshku universitar i artit pamor, ku artisti ekspozoi së fundmi  ‘Jetët e të tjerëve’... Në Galerinë Kombëtare, jo vetëm në këtë periudhë restaurimi, po prej vitesh, vizitorët nuk mblidhen për të shijuar ekspozitat personale të artistit... dhe kjo nuk është zgjedhje e tij...

“Ajo ka qenë e mbyllur për shumë kohë, pothuajse për10 vjet nuk ka ekzistuar marrëdhënia me komunitetin e artistëve, veçmas kohët e fundit. Dhe tani që bëhen punime është e njëjta gjë. Domethënë marrëdhënia me artistët nuk ekziston, dhe mbyllja që është bërë është një mbyllje arbitrare pa u konsultuar me askënd”, shton më tej ai.

Hasan Nallbani ka mbi 40 vepra në Galerinë Kombëtare, e thuajse të gjitha janë blerë para viteve ‘90. Distancimin  e këtij institucioni me krijimtarinë e artistëve pamor post ’90-ës, artisti e shikon si një qëndrim të pajustifikueshëm, që përpos të tjerave e lë pasurinë e Fondit të vakët...

“Galeria Kombëtare e Arteve ka 30 e ca vjet, që nga vitet  90 e këtej, që nuk blen një pikturë, nuk di ç ‘është krijuar në këto vite. Kjo për mua është skandaloze!”, thotë piktori

Veprimtaritë dedikuar artit pamor, janë zbehur nga viti në vit, e kjo e bën Nallbanin të ndihet melankolik, jo vetëm për artistët, por edhe për qytetin që ka nevojë të përshkohet nga fryma e krijimtarisë së  tyre...  I tillë qe  Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore Onufri, të cilin artisti e fitoi në 2010-ën. Një konkurs, që pasi u kthye në traditë, në vend të rimëkëmbej, u mbyll tri vite më parë ...

“Nuk ka konkurse, ka humbur ajo që quhet demokraci në art! Pasi demokracia është marrëdhënie midis atyre që e prodhojnë të njëjtin produkt, art! Nëpërmjet konkurseve, ekspozitave, diskutimeve realizohet ajo që quhet demokraci dhe njëkohësisht vjelja e vlerave artistike, kulturore të një procesi siç e quajmë punën e pikturës. Kështu që ka shumë vite që nuk ekziston, ka shumë vite që është kaotike!”, shprehet Nallbani.

Ndonëse në moshë të thyer, piktorin Hasan Nallbani, e pikasim në ekspozitat kryeqytetase, ndaj ai mund të konstatojë me përgjegjshmëri çka ndodh në jetën artistike të Tiranës, sa i përket artit pamor

“Talente ka mjaft dhe piktorë të interesuar ka mjaft, por këtu mungon një komunitet artistësh në kuptimin e organizimit që të përbëjë një lloj institucioni artistik... Mungon, nuk ka . Nuk ka opinion të kësaj natyre, secili është në atë intimitetin e tij, punon, përpiqet ndonëse shumë pak shumë pak shitet.... T’i harxhon mund, edhe materialisht se arti kërkon investim në të gjitha drejtimet”, thotë piktori.

Ndërsa në vend krijon e ekspozon me peshën e atmosferës së rënduar prej neglizhencës institucionale, ekspozitat e Nallbanit  jashtë vendit pas 90-ës janë të pakta, e kufizohen me Francën e Italinë, ndonëse ka pasur interes për krijimtarinë e tij...

“Unë mbas këtyre viteve nuk kam ekspozuar shumë jashtë, sepse që të ekspozosh jashtë duhet të investosh financiarisht, duhet të investosh në një galeri e cila të përballojë shpenzimet që ka për të përballuar. Mua më fton një kritik i njohur italian që ka prezantuar në një botim edhe punën time. Më thotë, “hajde bëjmë një ekspozitë”, por, kjo ekspozitë si do të përballohet nga unë? Është pothuajse e pamundur! E pamundur! Duhet të jetë shteti i interesuar për të ekspozuar artistët shqiptarë, sepse produkti ynë është pjesë e kulturës, dhe kjo ka interes për një shtet normal, për një shtet që ka interes për kulturën. Ndërsa një shtet që nuk interesohet për këtë aspekt, s’do të dijë se ç’bën”, shprehet Nallbani.

Ndonëse mungesa e vlerësimit financiar e moral, gërshetohen e krijojnë tension në jetën e artistëve, Nallbani sërish u qëndron besnik tablove që s’janë indiferente ndaj asaj çka ndodh me realitetin e vetë individin në Shqipëri

“Unë kam sakrifikuar në aspektin e interesit, sepse këtu ,dhe ai publik që interesohet për të marrë një vepër arti e sheh thjesht në aspektin e interesit estetik, për të arreduar piktura në ambientet e tij, por jo në përmbajtje, që del jashtë këtij kuadri”, shprehet ai.

Edhe sot, si çdo ditë, ai do të rikthehet në studio e tij, Me merakun e një trashëgimie që zhvlerësohet, me rebelimin për dhunën urbanistike, por mbi të gjitha me mendimin për ti dhënë jetë subjekteve të reja në telajo...

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë