Tirana 'rrëmben' konferencën prestigjioze të Nanoteknologjisë, mbi 200 shkencëtarë rrëfejnë zbulimet më të rëndësishme shkencore

Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji, (TNT2021), një nga konferencat shkencore më prestigjioze në botë, e organizuar nga Akademia e Shkencave për herë të parë në Tiranë, ka nisur sot më 4 tetor në Tirana International Hotel dhe do të vijojë përgjatë gjithë javës deri më 8 tetor 2021. 

Konferenca me pjesëmarrjen e mbi 210 shkencëtarëve e studiuesve nga 21 vende të ndryshme të botës u çel nga bashkëkryetari i konferencës Arben Merkoçi (ICREA - ICN2 - BIST, Spanjë).

Akademiku Merkoçi foli për rëndësinë që ka kjo konferencë për komunitetin e shkencëtarëve me pjesëmarrje kaq të madhe nga rreth 20 vende edhe pse në kohën e COVID-it.

“Shumë faleminderit që erdhët në Tiranë! Për ne shqiptarët është nder që ta kemi Tiranën gjatë kësaj jave në qendër të vëmendjes për nanoteknologjinë, por gjithashtu është mjaft e rëndësishme që shqiptarët t'i tregojnë opinionit ndërkombëtar interesin e madh që Shqipëria ka për shkencën. Përmes kësaj konference, shkencëtarët shqiptarë shprehin mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen që shoqëria i jep shkencës, por në të njëjtën kohë shprehin kërkesën e tyre për më shumë ndihmë nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne kemi krijuar tashmë NanoAlb, falë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. NanoAlb është një qendër ndërkombëtare nanoteknologjike, që punon si një institut virtual me 24 grupe të shkëlqyera kërkimore që bëjnë aktivitet në nanoteknologji dhe fusha të lidhura me të nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.”- tha prof.dr. Merkoçi.

Merkoçi ia dha fjalën akademikut prof. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akad. Gjinushi u uroi suksese organizatorëve të konferencës dhe i falënderoi në emër të Akademisë së Shkencave që e sollën këtë eveniment të rëndësishëm shkencor, ndër më të suksesseshmit e më të rëndësishmit në nivel europian e botëror.

“Dëshiroj të përgëzoj e falënderoj veçanërisht komitetin organizator dhe dy kryesuesit e tij, miqtë tanë Arben e Antonio, që në vazhdim të traditës 20 -vjeçare të iniciuar nga profesorët e nderuar Serena, Saenz e Correia e sollën këtë eveniment të rëndësishëm shkencor, ndër më të suksesseshmit e më të rëndësishmit në nivel europian e botëror në lëminë e nanoshkencës e nanoteknologjisë, në Shqipëri, (duke treguar se spanjollët në nano shkencë janë po aq krijues e te suksesshem sa në futboll). Ndër aspektet e praktikat më pozitive të kësaj konference, është vendi i posaçëm që iu kushtohet kërkuesve të rinj e studentëve të ekselencës. Kjo përvojë ka vlerë të veçantë për ne, sepse kërkimi shkencor në nano-teknologji në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku shtrihet NanoAlb është relativisht i ri, e ky shkëmbim informacioni e ballafaqim rezultatesh me profesorë elitarë të fushës, do të ndikonte shumë në aftësimin, orientimin dhe të ardhmen e kërkuesve të rinj”, -tha akademiku Gjinushi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehu kënaqësinë që më në fund kryeqyteti është hapur edhe për takime të tilla shkencore të nivelit të lartë.

“Është kënaqësi që ju sollët këtë Konferencë në Tiranë, por ajo që më bën mua jashtëzakonisht të lumtur është hapja e kryeqytetit pas Covidit edhe për shkencën. Unë shpresoj vërtet që ky të jetë vetëm fillimi i serive të këtyre eventeve, pasi Tirana vitin e ardhshëm do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë,” -u shpreh Veliaj

Konferencën e përshëndeti Arnau Formiguera, zëvendësambasador i Spanjës në Shqipëri. Ai e quajti të vlefshëm bashkëpunimin midis shkencëtarëve të vendeve tona, që iu hap rrugë veprimtarive konkrete në fushën e fushën e kërkimeve shkencore bashkëkohore.

Olti Rrumbullaku, zëvendësministër i Arsimit Sportit dhe Rinisë përshëndeti organizatorët dhe falënderoi Akademinë e Shkencave për organizimin e kësaj konference me rëndësi dhe vlerë të veçantë për bashkëpunimin shkencor.

Në fjalën e tij përshëndetëse me rëndësi të veçantë e quajti këtë konferencë zëvendëskryeministri i Shqipërisë,  Arben Ahmetaj.

Ai përgëzoi organizatorët e kësaj veprimtarie shkencore me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por në një shkallë rajonale. Bashkëpunimi i njësisë së nanoshkencës dhe nanoteknologjisë të Akademisë së Shkencave (NanoAlb) me fondacionin “Phantoms” të Spanjës e vendos shkencën shqiptare në vijën e pararojës në shkencë.

Ahmetaj theksoi se kalorësit e shkencave të pararojës si nanoshkenca dhe nanoteknologjia janë një pasuri e shkëlqyer për të gjithë ne. Ai theksoi se Shqipëria, përmes kërkuesve të talentuar dhe bashkëpunimeve të suksesshme si kjo konferencë, mund dhe do të shndërrohet në një kryeqendër kërkimore. Ai theksoi mbështetjen e qeverisë së Shqipërisë për nismat e mëdha të ndërmarra nga Akademia e Shkencave për integrimin në kërkimet e saj të shkencave të reja.

Antonio Correia, President i Fondacionit Phantoms në Spanjë, kryetar i konferencës tha se ndihet shumë i kënaqur me organizmin e kësaj konference në Tiranë dhe e konsideron ngjarjen më të madhe të shkencës pas mbylljes nga pandemia CoVID-19. Correia falënderoi Akademinë e Shkencave për bashkëpunimin me qendrën e NanoAlb, dhe Arben Merkoçin, bashkëdrejtues i Konferencës Ndërkombëtare të Tendencave në Nanoteknologji. 

"Është kënaqësi për mua, që një vend i mrekullueshëm si Shqipëria ka zgjeruar hartën e Konferencës Ndërkombëtare të Nanoteknologjisë", tha Correia.

I.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lexues: 05/10/2021 16:37

    Nanolesh ne qytetin pa uje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë