100 nxënës nisin rrugëtimin në American British STEM Academy! Shkolla elitë ku mësohet me metodologjinë STEM! Universiteti i Boltonit mbështetja kyçe

Prindër të lumtur e fëmijë të gëzuar, kjo është panorama e datës 11 shtator në oborrin e American British STEM Academy. Tirana tashmë ka një shkollë të re, e vetmja me metodologjinë STEM, e cila sot hapi dyert për 100 nxënësit e parë të arsimit parauniversitar, ku mes shumë të ftuarve të nderit, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj.

Themeluesi i Nju Jork University në Tiranë z.Ilias Foutsis, rikthehet me grupin e bashkëpunëtorëve të tij të vjetër, me një iniciativë të re në arsim. Rikthimin në vendin tonë duke sjellë si risi metodologjinë STEM, z.Foutsis e përshkroi i përlotur, teksa përmendi dhe kohët e vjetra të bashkëpunimit me të ndjerin Gramoz Pashko, për themelimin e Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë.

“Jam shumë i lumtur që gjendem sot këtu. Ne po aplikojmë aktualisht metodologjinë STEM, e cila aplikohet në vende europiane, por edhe në Britaninë e Madhe, në Çeki p.sh ku ne bashkëpunojmë, atje jetojnë nipërit dhe mbesat e mi, të cilët studiojnë këtë metodologji. Ne vijmë sërish në Shqipëri duke hapur një shkollë thuajse me të njëjtit nxënës, duke më kujtuar edhe momentet me të ndjerin z. Gramoz Pashko me të cilin filluam investimin në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë”, u shpreh z.Foutsis.

Lidhur me mundësinë e hapjes së një kolegji universitar në vendin tonë, duke konsideruar eksperiencën e vyer që z.Foutsis ka në këtë fushë të arsimit, ky i fundit garantoi hapjen e një kampusi universitar me ndihmën e Universitetit të Boltonit.

“Ky është një nga planet tona afatshkurtër. Investim i një kolegji universitar që ka të bëjë me suportin e Universitetit të Boltonit në Britani, duke aplikuar metodologjinë STEM. Ky investim bëhet me dy bashkëpunëtorët e mi prej më shumë se dy dekadash, z.Luan Betaj dhe znj. Brikena Kazazi. Jam i bindur që cilësia është një nga karakteristikat që ne kemi dhe do ofrojmë, siç e kemi nisur në fillimin tonë investimin në Universitetin e Nju Jorkut me të ndjerin Gramoz Pashko, po ashtu me të njëjtat standarte do vijojmë dhe më mirë në këtë investim të ri”, tha z.Foutsis.

Një nga bashkëpunëtorët e z. Foutsis është dhe dr.Anthony Keating, një nga mendjet e ndritura të Universitetit të Boltonit, i cili tregon më shumë për metodologjinë STEM dhe ndihmën që mund të japë Universiteti i Boltonit në krijimin e një kampusi universitar në Shqipëri.

“STEM qëndron për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë dhe kjo ndikon dhe përmirëson aftësitë për zgjidhjen e problemit dhe mendimit kritik. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe suportuar për ndërtimin dhe krijimin e këtij kampusi universitar. Suporti ynë do të jepet nëpërmjet programeve, pedagogëve dhe nëpërmjet z.Ilias Fousis i cili është një biznesmen i zoti në fushën e arsimit”, u shpreh z.Keating.

Ajo që bën diferencën mes American British STEM Academy dhe të gjitha shkollave të tjera, publike apo private me të njëjtin program, sipas drejtoreshës Mimoza Matraxhiu, është vetë metodologjia STEM, shtyllat ku ajo mbështetet dhe stafi i kualifikuar.

“Jemi të parët dhe të vetmit që aplikojmë metodologjinë STEM. Kjo metodologji nënkupton të mësuarit bazuar në hulumtim, eksperiment, praktikë. Gjë që ne e mundësojmë falë laboratorëve të pajisur me teknologjinë më të fundit. STEM mundëson që një nxënës nga një dëgjues pasiv të kthehet në një pjesëmarrës aktiv në një proces mësimor, kjo është tepër e rëndësishme. Fokusi ynë për përzgjedhjen e stafit ka qenë alternimi i mësuesve me shumë eksperiencë dhe mësues të rinj të apasionuar me eksperiencë të mjaftueshme në arsimin parauniversitar. Në stafin tonë ka mësues që kanë krijuar studimet në shkolla të ndryshme me emër jashtë vendit, në Finlandë, i cili është shteti i parë që ka aplikuar metodologjinë STEM.”

Në ditën kur American British STEM Academy çeli dyert për nxënësit e parë, mbajti fjalën e tij edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili e konsideroi domosdoshmëri përdorimin e metodologjisë STEM në vitet në vijim në vendin tonë.

“Ne kemi nevojë më shumë se kurrë sot për shkencë, për teknologji, për inxhinieri dhe matematikë, ndaj këtu vërtet mund të kemi një sfidë. Jemi vend që prodhojmë teknologji informacioni, pra shumë fokus ndaj tij, e quaj provokim të bukur për gjithë sistemin publik, se si fokusi te shkenca, te teknologjia, te inxhinieria dhe matematika, punët e të ardhmes, që paguhen mirë pa u larguar nga Shqipëria”.

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave